Kryenegociatori Zulfaj: Masat e BE-së nuk u hoqën thjesht nga fjalët e ish-presidentes
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se heqja e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nuk ka ndodhur vetëm për shkak të bisedimeve të ish-presidentes Vjosa Osmani.
“Që nga vendosja e masave të padrejta e deri te heqja e tyre, janë zhvilluar dhjetëra takime. Po të ishte çështje fjalësh, shpresoj se ish-presidentja do t’i kishte hequr menjëherë, e jo më shumë se dy vjet më vonë,” shkroi Zulfaj në Facebook.
Sipas Zulfajt, masat, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të vendosura nga ish-emisari Miroslav Lajçak (të cilin Zulfaj e lidh me “dosjen Epstein”), u hoqën pasi pati zgjedhje të reja dhe një tranzicion paqësor të pushtetit në katër komunat veriore.
“Pjesëmarrja në zgjedhje dhe tranzicioni paqësor ndodhën sepse, pasi i bojkotuan zgjedhjet e mëparshme, [banorët e atyre komunave] nuk u kthyen pa zgjedhje të reja. Dhe kur u kthyen, jo vetëm që pati një tranzicion paqësor, por edhe respekt për flamurin e Republikës së Kosovës, i cili valëvitet në çdo komunë sot,” shtoi Zulfaj.
Ai theksoi gjithashtu se edhe kryeministri Albin Kurti ka folur, por sipas tij, Kurti “më shumë ka vepruar.”
Reagimi i Zulfajt vjen pas deklaratës së ish-presidentes Osmani, e cila mbrëmë, në një intervistë televizive, tha se kishin ekzistuar keqkuptime mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë. Këto keqkuptime, sipas saj, ishin tejkaluar pasi ajo kishte biseduar me aleatët.
“Ne kemi arritur t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe në dhjetor masat u hoqën,” citohet të ketë thënë Osmani.
