Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar në emisionin “Këndi i debatit”, në Tëvë1, se LDK-ja do të votonte njëzëri një kandidat politik të saj për president.
“Sipas rregullave të brendshme dhe praktikës, kryetari i LDK-së – duke kujtuar se dy ish-kryetarë të LDK-së e kanë ushtruar detyrën e presidentit – Lumir Abdixhiku, në kuadër të një marrëveshjeje politike, do të kandidonte si emër i LDK-së dhe do të merrte 18 vota nga deputetët e LDK-së, duke përfshirë edhe votën e tij. Ju siguroj, ftojeni cilindo kandidat të LDK-së, testojeni, bisedoni me të. Lumir Abdixhiku do të ishte kandiduar, vetëm nëse vetë nuk do të kishte shprehur dëshirën. Nesër, zoti Kurti dhe zoti Abdixhiku le të ulen dhe të bien dakord për një president politik. LDK-ja e voton një kandidat, deputet të LDK-së, politik, kushdo qoftë ai apo ajo, e voton me të gjitha votat,” deklaroi Haziri.
Më tej, Haziri theksoi se propozimi i tyre për president kishte qenë Vjosa Osmani, megjithatë rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit nuk ua dha mundësinë që të vinin në tryezën e diskutimeve me emrin e saj.
“Propozimi ynë për president ka qenë Vjosa Osmani, pas të gjitha zhvillimeve të 28 dhjetorit. Rezultati zgjedhor nuk na e dha këtë mundësi që ne të diskutonim për një president politik. Ne do ta nisnim me Vjosa Osmanin, por ajo është e para që tha se për shkak të emrit tim nuk duhet të thyhet partia. Ajo e dinte se Lëvizja Vetëvendosje e kushtëzonte bashkëpunimin; nëse ajo do të kishte pasur mbështetjen e LDK-së më 28 dhjetor, nuk do të ishte shkuar në zgjedhje fare,” shtoi Haziri.
Ndër të tjera, Haziri tha se aktualisht, për shkak të raportit mes dy partive kryesore, ato po flasin për një kandidat të tretë.
“Por, me këtë raport që është tani, dy parti politike po flasin për një emër të tretë. Pse nuk e kemi nxjerrë në debat publik, duke thënë: ne kemi 10 emra, urdhëroni, debatoni për një javë, shoqëria kosovare, votoni për këta emra. Dhe në fund të vendoset. Ose partitë politike mund të kishin dalë me një emër më të mirë dhe më të pranueshëm për t’u votuar. Do të dështonin ata deputetë që nuk do ta votonin. Ne vetë nuk i kemi treguar askujt, nuk kemi folur fare me kandidatë, as me deputetë. Në studio janë përmendur emra të tjerë, gjë që nuk është mirë, pasi bëhet fjalë për personalitete të mëdha, të mira dhe të respektuara,” përfundoi Haziri në emision.
