Vdekja e Giorgos Mazonakis: Pamjet e kamerave të sigurisë përmbysin dëshmitë e mjekëve, detaje të reja nga hetimi
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me orët e fundit para vdekjes së këngëtarit grek Giorgos Mazonakis. Pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë, tashmë në duart e policisë greke, hedhin dritë mbi rrethanat në klinikën private ku këngëtari humbi jetën.
Sipas të dhënave të mbledhura nga autoritetet, Mazonakis ka hyrë në klinikën e mjekëve Ilia Theodoropoulos dhe Ioanna Gaka pak pas orës 13:00, e jo pas orës 16:00, siç kishin deklaruar fillimisht dy mjekët. Diferenca prej rreth tre orësh është në fokus të hetimit të Policisë së Athinës, ndërsa hetuesit përpiqen të rindërtojnë çdo minutë të ngjarjeve, nga momenti i hyrjes së këngëtarit në klinikë deri te arresti kardiak dhe transportimi në spital.
Dy mjekët, në klinikën private të të cilëve ndërroi jetë këngëtari, janë arrestuar dhe akuzohen për lënie në rrezik me pasojë vdekjen. Oficerët hetimorë pritet të kontaktojnë prokurorin përgjegjës për ta informuar mbi provat e mbledhura dhe për të marrë udhëzime për hapat e mëtejshëm.
Një tjetër element kyç në hetim është përdorimi i pajisjes së plazmaferezës. Sipas hetuesve grekë, procedura e plazmaferezës kishte nisur kur këngëtari pësoi arrest kardiak. Ky fakt është konstatuar edhe nga një prej ekipeve të shpëtimit që mbërriti në klinikën në Kolonaki për ndihmën e parë.
Ky detaj konsiderohet i rëndësishëm, pasi autoritetet po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë procedure mjekësore ishte nisur, deri në çfarë pike kishte avancuar, kush ndodhej në klinikë dhe çfarë veprimesh u ndërmorën para dhe pas momentit kur këngëtari u rrëzua. Kjo gjetje bie ndesh me deklaratat e mëparshme të mjekes, e cila kishte pretenduar se procedura nuk kishte nisur, dhe se gjithçka kishte ndodhur ndërsa po vendoseshin kateterët intravenozë te Mazonakis.
Gjatë kontrollit në klinikë u gjetën dy pajisje plazmafereze. Çështja ka marrë një rëndësi të veçantë pas deklaratës së Shoqatës Mjekësore të Athinës, sipas së cilës ambienti ishte i licencuar si klinikë patologjike, ku instalimi dhe përdorimi i pajisjeve të tilla nuk lejohet. Hetuesit i janë drejtuar një hematologu të specializuar për të marrë një pasqyrë të qartë mbi mënyrën e kryerjes së plazmaferezës, kushtet dhe procedurat e nevojshme.
Ndërkohë, një grup nga Drejtoria e Hetimeve Kriminalistike e policisë greke ka sekuestruar një sërë provash dixhitale në klinikë.
**Kontroll në banesën e çiftit të mjekëve**
Në kuadër të hetimeve, policia greke ka kryer më herët edhe një kontroll në banesën e çiftit të mjekëve në Psihiko.
Një detaj tjetër nën hetim është një plagë në kokën e këngëtarit. Sipas dëshmisë së mjekes dhe një punonjëseje, Giorgos Mazonakis kishte thënë: “U trullosa dhe rashë në shkallë ndërsa po dilja nga shtëpia”. Autoritetet po analizojnë të gjitha provat dixhitale të sekuestruara për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë tentativë për të fshehur ose ndryshuar elemente thelbësore pas vdekjes së këngëtarit.
Një pikë kryesore e hetimit është përcaktimi nëse klinika kishte të gjitha licencat e nevojshme, nëse pajisjet aty plotësonin kërkesat ligjore dhe nëse janë konstatuar shkelje që mund të çojnë në ndjekje penale. Një zyrtar i Drejtorisë së Hetimeve Kriminalistike po merr pjesë aktivisht në procesin e mbledhjes dhe ekzaminimit të provave në klinikë.
