Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me paralajmërimet për demonstrata, të planifikuara për datën 16 shtator. Këto protesta pritet të mbahen në ditën kur do të shpallet aktgjykimi në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nëpërmjet një njoftimi, ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët të shmangin zonat ku janë paralajmëruar demonstratat dhe të tregojnë kujdes nëse gjenden pranë grumbullimeve të mëdha.
Ambasada thekson se disa organizata kanë planifikuar demonstrata të gjera për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto tubime, siç paralajmërohet, mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, bllokim rrugësh dhe pengesa të konsiderueshme në trafik. Prandaj, rekomandohet kufizimi i lëvizjeve dhe shmangia e udhëtimeve drejt punës apo shkollës nëse rruga kalon përmes zonave të prekura, për të shmangur vonesat.
Për shkak të pengesave të mundshme në trafik, personelit të qeverisë së SHBA-së i është kërkuar të shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme pranë zonave të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator. Megjithatë, ambasada ka konfirmuar se do të jetë e hapur dhe do të ofrojë shërbime të kufizuara konsullore sipas nevojës.
