Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se nuk pret përkeqësim të situatës më 16 shtator, ditën kur në Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Syla thekson për KosovaPress se, OVL-UÇK nuk ka informacione për ndonjë përkeqësim të mundshëm të situatës, ndërsa ka bërë të ditur se veteranëve u është bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Në prag të kësaj date, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka lëshuar një paralajmërim për sigurinë, duke bërë të ditur se më 16 shtator priten demonstrata të mëdha. Ambasada ka këshilluar gjithashtu personelin e Qeverisë amerikane që të shmangë udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.

Syla, për KosovaPress ka thënë se edhe ish-ushtarët e UÇK-së, janë “ushtarë amerikanë”, prandaj sipas tij, nga ana e OVL-së nuk do të ketë përshkallëzim të situatës.

“E kemi pa reagimin e Ambasadës Amerikane, kjo ka ndodhur në bazë të një analize të tyre. Si OVL, nuk kemi ndonjë informacion të mundshëm për ndonjë përkeqësim të situatës. Duhet ta dinë, se ushtarët e UÇK-së janë edhe ushtarë amerikanë, prandaj ne nuk e shohim ndonjë përkeqësim apo incident, po flas në emër të atyre që përfaqësojmë. Sa i përket Policisë, kjo është punë e tyre. Ne u kemi bërë thirrje veteranëve, që të jenë të qetë dhe të përmbajtur”, ka thënë Syla.

Ai ka folur edhe për situatën në raport me komunitetin serb në Kosovë, duke kërkuar që edhe ky komunitet të jetë i qetë më 16 shtator.

Sipas njoftimeve të tij, komuniteti serb në Kosovë, kishte kërkuar që të zgjatë festën e unitetit kombëtarë serb edhe më 16 shtator.

Ndryshe, Syla ka theksuar se si OVL UÇK nuk do të jetë asnjë vendim tjetër i pranueshëm përveç lirimit të tyre.

Ai, ka thënë se asnjë vendim gjyqësorë nuk mund ta shpallë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës organizatë kriminale.

“Ne kemi edhe një informatë tjetër që me 15 shtator, Serbia ka një ditë të vetën të flamurit dhe do festojnë dhe ka informata që ata do ta zgjasin pak festën më tutje dhe prandaj nuk shohim nga ana jonë ndonjë provokim të situatës. Nëse do të ketë diçka, do të ishte mirë që edhe serbët e Kosovës të jenë të qetë në këtë ditë. As ata nuk duhet ta provokojnë situatën, eventualisht nëse do të ketë vendim negativ. Çdo vendim tjetër, për ne, do të jetë i papranueshëm dhe do ta kundërshtojmë sa na lejon ligji dhe kushtetuta e vendit tonë, por jo ta dëmtojmë këtë shtet… Nuk ka vendim gjyqësorë që mundet me shpallë UÇK organizatë kriminale, këta duhet ta di secili se lufta ka qenë e pasur sepse kemi mbrojtur vendin tonë”, u shpreh Syla.

Ndërkaq, drejtori i organizatës “Octapus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se 16 shtatori është një ditë me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe se masat e sigurisë nga institucionet nuk duhet të interpretohen si paragjykim i verdiktit.

“Nuk mendoj që kemi të bëjmë me një paragjykim të verdiktit, por kemi të bëjmë me një kujdes të shtuar lidhur me atë që mund të ndodh me 16 shtator, sidomos nëse kemi parasysh synimet permanente të Serbisë, që në kuadër të strategjisë së saj hibride të provokoj eventualisht. Nëse i referohemi njoftimit të Policisë, pikërisht duhet të mobilizohet çdo institucion relevant i sigurisë në Kosovë, të koordinohet mirë. Nga strategjia hibride e Serbisë, gjithmonë duhet të presim të ketë mundësi për infiltrimin, që do të kishin për qëllim provokimet për destabilizimin e vendit”, tha Fetoshi.

Fetoshi ka thënë se nuk pret një verdikt dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke argumentuar se një vendim i tillë, sipas tij, do të kishte pasoja për mënyrën se si interpretohet lufta e vitit 1999.

Sipas tij, një vendim dënues do të konfirmonte tezat e Serbisë për kriminalizimin e UÇK-së dhe vendimit të NATO-s për të ndihmuar popullin e Kosovës.

“Unë e përjashtoj verdiktin që do të jetë dënues, për shkak se kjo në mënyrë kategorike, do ta sprovonte rëndë drejtësinë ndërkombëtare, por edhe do ta vendoste Perëndimin në konfirmimin e tezave të vazhdueshme serbo-ruse për atë që ka bërë në vitin 99-të. Nëse kemi parasysh narrativet e tyre, për Perëndimin e padrejtë dhe për agresionin e NATO-s në luftë, në vendim dënues do të konfirmonte atë tezë për kriminalizimin e UÇK dhe vendimit të NATO-s”, tha ai.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka dalë me një njoftim për sigurinë, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për demonstratat e paralajmëruara në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës.

Edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për masa të shtuara të sigurisë në ditën e shpalljes së aktgjykimit. Sipas Policisë, masat janë pjesë e planifikimit dhe angazhimit institucional për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Po ashtu, Policia e Kosovës ka mbajtur të hënën edhe takim koordinues me partnerë ndërkombëtarë, si: KFOR, EULEX, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, Zyra e BE-së dhe OSBE-ja./KosovaPress