Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President, duke shprehur keqardhje dhe kritikuar ashpër situatën politike në vend.
Abdixhiku falënderoi Bekim Sejdiun për gatishmërinë dhe dinjitetin e tij, ndërsa theksoi se “urrejtja dhe inati” janë bërë karakteristikë e politikanëve të sotëm.
Në një postim të tij, Abdixhiku thekson se tërheqja e Sejdiut, “përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë do të ishte zgjedhja e duhur për President”.
Lideri i LDK-së shprehu keqardhje që vendi nuk ka President dhe se, në vend të një zgjidhjeje, dominon “kaosi politik, bllokada si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”.
Abdixhiku theksoi edhe keqardhjen për vetë Bekim Sejdiun, i cili, sipas tij, “padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij”. Ai shtoi se “përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të vetë”, duke e lidhur këtë me “urrejtjen si mjet dhe inatin personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, të cilat janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit”.
Ai vijoi duke pyetur retorikisht: “Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë.”
Duke e cilësuar këtë situatë si “PISA politike e Kosovës”, Abdixhiku kritikoi sjelljen e politikës që “rrënon çdo përpjekje normale”, duke rezultuar në “bllokim, ngecje, urrejtje, vrasje karakteresh dhe përfundim sërish në zgjedhje, edhe pas tyre, në të tjerat”.
Në fund, Abdixhiku i shprehu mirënjohje Bekim Sejdiut për “gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi”, duke theksuar se “në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”.
