Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare për rastin e masakrës së Mejës, ku 53 persona të akuzuar po gjykohen në mungesë. Këta persona akuzohen për krime të kryera në fshatrat përreth rajonit të Gjakovës.

Ashtu si në seancën e mëparshme, të mbajtur më 16 qershor 2025, asnjëri nga 53 të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, ndërsa ata përfaqësohen nga avokatët mbrojtës.

Seanca e sotme mbahet pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u kishte dhënë kohë shtesë të akuzuarve për t’u paraqitur. Pavarësisht kësaj, edhe këtë herë, askush prej tyre nuk u paraqit.

Seanca e parë fillestare për këtë rast ishte mbajtur nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 qershor 2025. Në atë seancë, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra kishte theksuar se gjykata nuk kishte informacion për vendndodhjen e të akuzuarve, ndërsa prokurori Ilir Morina kishte njoftuar se për ta ishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.

Masakra në Mejë dhe fshatrat përreth ka ndodhur në prill të vitit 1999, periudhë gjatë së cilës, sipas aktakuzës, u vranë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Trupat e viktimave u gjetën më vonë në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza u ngrit në dhjetor të vitit 2023 dhe u plotësua në prill të vitit 2024. Ajo përfshin 53 persona, ndërsa njëri prej të akuzuarve kryesorë është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës dhe ish-drejtor i Agjencisë Ushtarake të Sigurimit të Serbisë.

Mes të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, ish-komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO); Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste; dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Aktakuza thekson se secili prej të pandehurve dyshohet të ketë pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij. Operacioni i përmendur, sipas aktakuzës, ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.

Bazuar në hetimet e aktakuzës, në Mejë janë vrarë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të figurojnë si të pagjetur. Në Korenicë, janë vrarë 64 civilë dhe dy janë të pagjetur. Viktima dhe persona të pagjetur janë regjistruar edhe në Pacaj, Dobrosh, Rracaj, Nec, Ramoc dhe Bishtazhin.

Aktakuza përshkruan gjithashtu dëbimin sistematik të banorëve të kësaj zone nga shtëpitë e tyre, plaçkitjen dhe djegien e pasurisë, si dhe ushtrimin e dhunës fizike dhe kërcënimet ndaj civilëve.

Kolonat e të dëbuarve, sipas aktakuzës, ishin të detyruara të kalonin nëpër pika kontrolli në Mejë, Korenicë dhe Orizë, ku forcat serbe dyshohet se ndanë shumë burra nga gratë dhe fëmijët, duke i vrarë ata. Të tjerëve u konfiskuan dokumentet e identifikimit, paratë dhe sendet me vlerë, para se të detyroheshin të vazhdonin drejt Shqipërisë.

Këto veprime cilësohen në aktakuzë si vepra penale të vrasjes, dëbimit të popullsisë civile, plaçkitjes dhe shkatërrimit të pasurisë. Këto vepra, sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes ishin të parashikuara nga legjislacioni vendor i Jugosllavisë së atëhershme.