Shkruan: Qemajl Marmullakaj

Historia e popujve nuk matet vetëm me vitet e ekzistencës së tyre. Më shumë ajo matet me çaste dhe veprime të disa njerëzve kyç që e bëjnë historinë. Me ato çaste të rralla kur disa njerëz marrin mbi vete një barrë që është shumë herë më e madhe se jeta e tyre dhe me vendimet që marrin, duke ndryshuar fatin e një populli, vendi dhe rajoni të tërë.

Ka gjenerata që e trashëgojnë shtetin. Ka gjenerata që e administrojnë. Ka gjenerata që e përmirësojnë ose e dëmtojnë atë.

Por ka edhe gjenerata të rralla që duhet ta projektojnë shtetin përpara se ai të ekzistojë. Të luftojnë për të, ta shpallin atë, ta mbrojnë dhe të negociojnë paqen e tij, si dhe të luftojnë për pastërtinë e tij. Shpesh, kjo nuk përfundon këtu!

Gjenerata e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe shumë bashkëluftëtarëve e bashkëveprimtarëve të tyre ishte pikërisht një gjeneratë e tillë.

Mund të debatojmë për politikën e tyre. Madje edhe duhet të debatojmë.

Mund të kritikojmë mënyrën se si qeverisën, vendimet që morën, marrëveshjet që nënshkruan, kompromiset që bënë dhe gabimet që historia mund t’ua atribuojë.

Sepse askush që ka ushtruar pushtet nuk duhet të jetë mbi kritikën.

Por politika ditore është vetëm një fragment i historisë.

Dhe, kur largohemi pak nga zhurma e ditës, mbetet një e vërtetë shumë më e madhe. Fakti që mbi supet e Hashim Thaqit dhe shokëve të kësaj gjenerate ranë disa prej betejave më përcaktuese të ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Ata e bënë luftën.

Ata e shpallën pavarësinë.

Ata e mbrojtën atë para së drejtës ndërkombëtare.

Ata morën mbi vete edhe barrën e paqes.

Dhe, kur mund të mendohej se historia kishte kërkuar mjaft prej tyre, ajo i thirri edhe një herë. I thirri në Hagë! I thirri që të mbrojnë pastërtinë e luftës që bënë dhe shtetit që krijuan!

Ata e bënë luftën

Gjenerata e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit nuk e trashëguan lirinë. Ata e trashëguan idealin për të. Duke qenë të formuar në këtë ideal, organizuan fillimisht veprimtarinë e tyre në ilegalitet, pastaj në luftë, dhe në përfaqësim politik përpara aleatëve ndërkombëtarë.

Ajo që e dalloi këtë gjeneratë ishte momenti historik në të cilin vepruan. Në vitet nëntëdhjetë, një pjesë e saj kaloi nga veprimtaria politike e ilegale në organizimin e rezistencës së armatosur. U krijuan lidhje, struktura dhe rrjete brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat gradualisht morën formën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

UÇK ishte periudha kur konflikti politik dhe historik kishte marrë formë të armatosur. Organizimi dhe veprimitaria e saj ishte a pa shmangshme; kishte  synim mbrojtën e pragut të derës, qytetarëve, por mbi të gjitha kishte synim çlirimin e vendit. Për Hashim Thaqin dhe shokët, lufta nuk ishte qëllim në vetvete. Përkundrazi, ishte mjeti për realizimin e idealit të trashëguar dhe një synimi politik të formuar ndër breza të tërë: Çlirimin e Kosovës dhe krijimin e mundësisë për shtetin e saj.

Hashim Thaqi me shokë jo vetëm që e bënë luftën, por e dinin se ajo duhej fituar edhe në përfaqësim politik dhe mbështetje ndërkombëtare. Kjo përgjegjësi u bë veçanërisht e dukshme në Rambuje, ku Hashim Thaçi, atëherë 29 vjeçar, u zgjodh përfaqësues i delegacionit që përfaqësonte unitetin e spektrit politik dhe ushtarak të Kosovës.

UÇK-ja, me mbështetjen vendimtare të faktorit ndërkombëtar dhe ndërhyrjen e NATO-s, e përfundoi luftën me çlirimin e Kosovës. Në qershor të vitit 1999, aparati ushtarak, policor dhe administrativ i Serbisë u dëbuan nga Kosova. Për Hashim Thaqin, Kadri Veselin Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe gjeneratën që kishte kaluar nga organizimi ilegal në rezistencën e armatosur, ky ishte realizimi i qëllimit themelor të luftës. Kosova ishte çliruar dhe aparati shtetëror serb ishte dëbuar, për të mos u kthyer më.

Kosova ishte e lirë. Por shteti ende duhej bërë.

Çlirimi i vitit 1999 e kishte përmbushur synimin themelor të luftës, por nuk e kishte zgjidhur statusin politik të Kosovës. Për gati një dekadë, Kosova do të administrohej ndërkombëtarisht, ndërsa paralelisht do të ndërtonte institucionet e veta dhe do të përgatitej për përcaktimin përfundimtar të statusit.

Për Hashim Thaçin dhe gjeneratën e tij kjo nënkuptonte një transformim të ri. Organizimi ilegal dhe lufta duhej t’i hapnin udhë politikës institucionale. Strukturat e luftës duhej të transformoheshin, ndërsa energjia politike e një lëvizjeje çlirimtare duhej të kanalizohej në ndërtimin e institucioneve, në zgjedhje, në Kuvend, në Qeveri, dhe në përfaqësimin politik të Kosovës.

Procesi zgjati vite. Negociatat për statusin përfundimtar, procesi i Vjenës dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve kryesorë evropianë krijuan gradualisht kushtet politike dhe ndërkombëtare për hapin përfundimtar.

Më 17 shkurt 2008, nëntë vjet pas çlirimit, Hashim Thaqi qëndronte në Kuvendin e Kosovës në një rol krejt tjetër, në krye të Qeverisë së vendit që po shpallte pavarësinë. Hashim Thaçi ishte në krye të Qeverisë që mori përsipër jo vetëm shpalljen e pavarësisë, por edhe përgjegjësinë shumë më të vështirë që vinte një ditë më pas: ta shndërronte pavarësinë e shpallur në një shtet funksional dhe të qëndrueshëm.

Shumë punë kishte. Duhej miratuar Kushtetuta. Duhej ndërtuar arkitektura ligjore e institucionale e Republikës. Duhej konsoliduar policia, drejtësia dhe administrata. Duhej krijuar diplomacia e shtetit të ri, të hapeshin ambasadat, të siguroheshin njohjet dhe të ndërtoheshin marrëdhëniet me shtetet e tjera. Duhej të krijoheshin institucionet e sigurisë dhe të merreshin gradualisht përgjegjësitë, që deri atëherë i ushtronin strukturat ndërkombëtare.

Në një periudhë relativisht të shkurtër, Kosova kaloi nga një territor nën administrim ndërkombëtar në një republikë me Kushtetutë, institucione shtetërore, diplomaci dhe një subjektivitet ndërkombëtar gjithnjë e më të konsoliduar.

Hashim Thaçi nuk e ndërtoi këtë shtet i vetëm. Ashtu si lufta, edhe shtetndërtimi ishte përpjekje kolektive. Por, sikurse në luftë, ai ishte përsëri në një prej pozitave ku barra e vendimeve kryesore politike binte drejtpërdrejt mbi të.

Shteti duhej njohur dhe mbrojtur

Kosova tashmë ishte e lirë dhe ishte bërë shtet. Por shteti duhej njohur, mbrojtur dhe bërë i pakthyeshëm.

Pas shpalljes së pavarësisë filloi beteja për njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, institucionet e reja u angazhuan në sigurimin e njohjeve dhe ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike, duke e vendosur gradualisht Kosovën në hartën politike ndërkombëtare.

Serbia e kundërshtoi pavarësinë edhe juridikisht, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kosova, së bashku me aleatët dhe ekipin e saj juridik, mbrojti aktin e 17 shkurtit ku dhe u vendos që Deklarata e Pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Nga ilegaliteti dhe lufta, te shpallja dhe mbrojtja ndërkombëtare e shtetit, një tjetër etapë ishte përmbyllur. Por Serbia vazhdonte të mos e njihte Kosovën, strukturat e saj vazhdonin të sfidonin autoritetin e shtetit dhe integrimi i komunitetit serb mbetej i papërfunduar.

Shteti ishte krijuar dhe mbrojtur. Tani duhej siguruar paqja, integriteti i tij dhe e ardhmja.

Shteti duhej ruajtur dhe paqja duhej ndërtuar

Pas luftës dhe pavarësisë, sfida ishte që shteti i Kosovës të ushtronte funksionin e tij në tërë territorin e saj dhe që paqja të bëhej e qëndrueshme. Për Hashim Thaçin kjo nënkuptonte një rol tjetër, një rol ku kalohej nga përballja me Serbinë në dialog me të. Fillimisht teknik e më pas politik, dialogu synonte normalizimin e marrëdhënieve, zgjidhjen e çështjeve praktike dhe krijimin e kushteve për stabilitet afatgjatë dhe integrim evropian.

Marrëveshjet e arritura mund të debatohen, por procesi solli ndryshime konkrete. Policia dhe gjyqësori në veri u integruan në sistemin e Kosovës, u vunë pikëkalimet kufitare dhe u vendos integriteti territoral i vendit. Strukturat paralele u shpërbënë ose u transformuan në institucione ligjore dhe komuniteti serb u përfshi në institucionet e Republikës. Kosova fitoi në aspektin ndërkombëtarë dhe dialogu u bë edhe instrument për forcimin e rendit institucional dhe integritetit territorial të Kosovës.

Për Thaçin, kjo ishte vazhdimësi e të njëjtit synim. Vetëm se ketë herë, me mjete të tjera. Njeriu që kishte qenë pjesë e organizimit ilegal dhe e luftës kundër Serbisë, tani duhej të ulej me përfaqësuesit e saj për të siguruar që lufta të mos përsëritej. Kosova duhej jo vetëm të ishte e lirë dhe e pavarur, por edhe e sigurt, sovrane, e integruar brenda dhe e orientuar drejt një të ardhmeje euroatlantike.

Dhe në fund Haga

Pas ilegalitetit, luftës, çlirimit, shpalljes së pavarësisë, ndërtimit dhe mbrojtjes së shtetit dhe dialogut për paqe, historia i rezervoi Hashim Thaçit me shokë edhe një kapitull tjetër. Pretendimet se UÇK-ja kishte zhvilluar një luftë të papastër, të artikuluara përmes raportit të senatorit Dick Marty, çuan në një proces politik e juridik që përfundoi me krijimin e Dhomave të Specializuara. Pretendimet më të rënda të atij raporti nuk u bënë asnjëherë pjesë e aktakuzës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, por Prokuroria ngriti një tezë tjetër. Ngriti tezen se ata kishin qenë pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale gjatë luftës. Juridikisht, në bankën e të akuzuarve ishin katër individë, por historikisht, procesi kishte vënë nën një sprovë shumë më të gjerë edhe karakterin e luftës së UÇK-së. Kështu, mbi supet e Hashimit me shokë ra edhe një barrë tjetër. Barra e mbrojtës së pastërtisë së vërtetës dhe pastërtisë së luftës së UÇK-së.

Për gati gjashtë vjet, Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi janë përballur me një betejë krejt tjetër. Këtë here jo më me  betejë politike apo ushtarake, por me një betejë juridike. Gjashtë vite larg vendit të tyre dhe pa familjet e më të dashurit e tyre. Gjashtë vite me përkrahjen morale të një populli të tërë, por duke e bartur vetë barrën e një procesi që do të përcaktojë shumë më shumë se sa vetëm fatin e tyre personal. Gjashtë vite të gjata për individë, mbi supet e të cilëve historia kishte rënduar shumë edhe më parë.

Por si çdo proces tjetër, edhe ky e ka fundin e vet. Nesër me 16 shtator do të jepet aktgjykimi i shkallës së parë. Në Kosovë, të gjithë presin dhe janë të bindur që ky të jetë fundi i këtij procesi për ta, dhe rikthimi te familjet, te njerëzit e tyre, dhe te vendi për të cilin sakrifikuan aq shumë.

Dhe, pas gjithë kësaj ngjeshjeje të historisë brenda vetëm dy-tri dekadave, mbetet vetëm një pyetje, që shumë shpejt do marrë përgjigjen e vet. Çfarë ka rezervuar historia për ta më tej? A do t’u duhet, edhe një herë, ta marrin bajrakun për ta nxjerrë Kosovën nga gjendja në të cilin është zhytur? Apo historia do t’u rezervojë fatin e të qenit, vetëm dëshmitarë të shtetit që ndihmuan ta jetësonin?