Raporti i parë i inspektorit të përgjithshëm të Pentagonit për luftën me Iranin tregon se bazat amerikane, avionët dhe objektet diplomatike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar, ndërsa deri më 29 qershor operacioni kishte kushtuar 33.4 miliardë dollarë.
Dokumenti, i cili mbulon periudhën nga 1 prilli deri më 30 qershor, paraqet pasqyrën zyrtare më të plotë deri tani për humbjet njerëzore, dëmet materiale dhe kostot e operacionit “Epski bijes”. Raporti thekson se lufta ka nxjerrë në pah mungesa në rezervat e armëve të avancuara dhe pengesa në industrinë ushtarake për rimbushjen e rezervave të municioneve.
Sipas gjetjeve të inspektorëve, sulmet iraniane dëmtuan ose shkatërruan qindra ndërtesa dhe objekte të tjera në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani.
Ndër objektet e goditura ishte edhe baza detare amerikane në Bahrein, një qendër e rëndësishme logjistike në rajon. Pas sulmeve, Komanda Qendrore e SHBA-së e zhvendosi furnizimin drejt qendrave më të largëta, përfshirë bazën Diego Garcia në Oqeanin Indian.
Sekretari në detyrë i Marinës amerikane, Hung Cao, deklaroi javën e kaluar për gazetën “The Epoch Times” se “Bahreini u shkatërrua keq”, duke shtuar se një grup i posaçëm pune po shqyrton nëse baza duhet të rindërtohet në mënyrë që marina amerikane të ruajë aftësinë për të vepruar në rajon.
Raporti tregon gjithashtu se objektet diplomatike amerikane në Kuvajt, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Irak pësuan dëme të vlerësuara në 184 milionë dollarë. Departamenti i Shtetit raportoi në fillim të qershorit edhe 113 milionë dollarë shpenzime shtesë të lidhura me luftën, përfshirë rreth 80 milionë dollarë për planet emergjente dhe evakuimin e personelit amerikan, familjeve të tyre, shtetasve të tjerë amerikanë dhe shtetasve të huaj që plotësonin kriteret.
Administrata e Donald Trumpit, pas sulmeve të para ndaj Iranit më 28 shkurt, evakuoi rreth 9.000 shtetas amerikanë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Në sulme u dëmtuan edhe dhjetëra avionë dhe dronë amerikanë. Mes tyre ishin deri në 30 dronë MQ-9 Reaper, me vlerë rreth 30 milionë dollarë secili, si dhe shtatë avionë furnizues me karburant KC-135 që u dëmtuan ose u shkatërruan.
Një tjetër KC-135 u rrëzua në Irak pas përplasjes me një avion tjetër të të njëjtit lloj, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë pjesëtarëve të ushtrisë amerikane. Raporti thotë gjithashtu se 11 pjesëtarë të tjerë të forcave amerikane humbën jetën në luftime në Kuvajt, Irak, Jordani dhe Arabinë Saudite.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi para Kongresit në fund të korrikut se kostoja totale e luftës ndërkohë ishte rritur në 37.5 miliardë dollarë.
Pavarësisht paralajmërimeve të raportit, Pentagoni më herët kishte hedhur poshtë pretendimet për mungesë municionesh. Ndërkohë, presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA-ja “prodhon më shumë armë të avancuara dhe elitare se në çdo periudhë tjetër të historisë së saj”.
