Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar fuqishëm pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
OVL-ja thekson se ky dënim hidhet poshtë kategorikisht, pasi, sipas saj, godet luftën çlirimtare dhe lëndon çdo familje që dha bijtë për liri.
Në reagimin e saj të plotë, OVL e UÇK-së shprehet se e hedh poshtë kategorikisht dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sipas OVL-së, ky aktgjykim “godet luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe lëndon çdo familje që dha bijtë dhe bijat për lirinë e Kosovës.”
Organizata rikonfirmon se “UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale.” Ajo thekson se UÇK-ja “ishte rezistenca e organizuar e një populli përballë pushtimit, dëbimit dhe masakrës, e vetmja përgjigje që i kishte mbetur një kombi të dënuar me zhdukje.” OVL-ja shton se “ajo sakrificë ndërtoi shtetësinë, sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës,” duke theksuar se “asnjë institucion, kudo qoftë, nuk ka autoritetin moral ta nxjerrë në gjyq këtë të vërtetë.”
Veteranët e luftës shprehen se “asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo të njollosë ata që luftuan për liri,” duke shtuar se “e vërteta e UÇK-së nuk është çështje interpretimi gjyqësor, është historia e jetuar e një populli që e fitoi shtetin me gjak.”
Në përfundim, OVL-ja përsërit qëndrimin se këtë gjykatë e ka konsideruar politike që në fillim, dhe se procesi e ka vërtetuar këtë. Ajo e cilëson këtë si “turp për drejtësinë ndërkombëtare, një njollë që do të mbetet gjatë dhe që tregon se si është trajtuar lufta jonë çlirimtare dhe sakrifica e popullit tonë.”
