Altin Krasniqi, pas dënimit të Jakup Krasniqit: “U thye besimi ynë në drejtësi”

Pas aktgjykimit ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, djali i tij, Altin Krasniqi, njëherësh deputet i PDK-së, ka reaguar me anë të një mesazhi prekës. Ai shprehu dhimbjen e thellë të familjes pas gjashtë vitesh pritjeje, duke theksuar se babai i tij ka qëndruar gjithmonë me dinjitet.

Altin Krasniqi citoi fjalët e të atit: “Njeriu është më i fortë se guri. Çka s’mund ta mbajë guri, e mban njeriu.”

Ai theksoi se, pavarësisht padrejtësive që, sipas tij, i janë bërë të atit, Jakup Krasniqi ka qëndruar gjithmonë me kokën lart.

“Jeta ka qenë e padrejtë me ty, por ti prapë qëndrove me kokën lart. Gjashtë vjet pritje, gjashtë vjet dhimbje, e asnjëherë nuk ta pamë kokën të ulur,” shkroi ai.

Krasniqi nënvizoi se dënimi me 25 vjet burgim nuk e ka thyer të atin, por ka ndikuar rëndë te familja dhe te besimi i tyre në drejtësi.

“Pas këtij aktgjykimi, nuk u theve ti. U thye diçka brenda nesh. U thye besimi ynë në drejtësi,” deklaroi ai.

Deputeti shtoi se familja do të vazhdojë të qëndrojë e fortë, ashtu siç i ka mësuar i ati.

“Por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë. Ashtu siç na ke mësuar ti. Me dhimbje në zemër, por me kokën lart. Me kokën lart, babë. Gjithmonë,” përfundon mesazhi i tij.