Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar një ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si “padrejtësi historike dhe ndërkombëtare” ndaj Kosovës dhe çlirimtarëve.
Lushtaku ka kritikuar trupin gjykues, duke thënë se vendimi është i rëndë politikisht dhe moralisht dhe se, sipas tij, është ndikuar nga interesa që kanë synuar dëmtimin e luftës dhe historisë së UÇK-së.
“Dhe padrejtësia më e madhe është se këtë vendim e morët në emër të Popullit të Kosovës! Jo! Asnjëherë në emër të Popullit të Kosovës!”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes vendimeve gjyqësore dhe ka përfunduar reagimin me: “Jo në emrin tim. Jo në emër të Popullit të Kosovës. Lavdi për Çlirimtarët!”
