Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcjellë një mesazh për qytetarët pas aktgjykimit dënues të 16 shtatorit në Hagë, përmes kryembrojtësit të tij, Luka Mishetiq.
Thaçi, i cili u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të vazhdojë betejën ligjore përmes apelimit të aktgjykimit.
Këtë e ka bërë të ditur Mishetiq në deklarimin e tij të parë pas shpalljes së aktgjykimit, duke përcjellë edhe falënderimin e Thaçit për mbështetjen e marrë gjatë procesit.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë”, ka shkruar Mishetiq.
Sipas tij, Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë pas vendimit të djeshëm.
“Ai u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, thuhet në deklaratën e Mishetiq.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar më herët se do ta apelojë aktgjykimin, duke kundërshtuar gjetjet e Trupit Gjykues dhe duke pretenduar se gjatë procesit janë bërë shkelje procedurale dhe gabime në vlerësimin e provave.
