Google feston 15-vjetorin e Gmail me funksione të reja, duke përfshirë dërgimin e programuar të mesazheve
Google feston 15-vjetorin e Gmail duke prezantuar disa përmirësime të rëndësishme për shërbimin e vet të popullarizuar të postës elektronike.
Së pari, është lançuar opsioni i dërgimit të programuar të mesazheve, i cili mundëson që ato të mbërrijnë te marrësi në kohën më të përshtatshme. Për shembull, nëse shkruani një email pune vonë natën, por nuk dëshironi të shqetësoni kolegët jashtë orarit, dërgimi mund të shtyhet derisa ata të kthehen në zyrë, sipas Engadget.
Gjithashtu, funksioni Smart Compose (Shkrim inteligjent) mëson të përshtatet me stilin personal të përdoruesit. Ky funksion, i bazuar në inteligjencën artificiale, tani është në gjendje të njohë përshëndetjet e zakonshme të përdoruesve. Kjo do të thotë se nëse zakonisht e nisni një email me “Hey” ose “Hello”, nuk do të jetë e nevojshme ta shkruani këtë çdo herë, raporton KOHA Ditore.
Ky përditësim u lëshua në fillim të marsit, dhe Google ka konfirmuar se Smart Compose tani është i disponueshëm edhe në pajisje të tjera Android, jo vetëm në Pixel 3. Ai funksionon në gjuhët frënge, spanjolle, italiane dhe portugeze.
