**Ermal Hadribeaj bën shqiponjën me Tyson Furyn, një muaj para duelit për titullin e botës kundër Sebastian Fundorës**

Boksieri shqiptar Ermal Hadribeaj është vetëm një muaj para sfidës më të madhe të karrierës së tij. Më 17 tetor, në Las Vegas, Hadribeaj do të përballet me amerikanin Sebastian Fundora për titullin e botës të WBC-së në kategorinë super të lehtë.

Ndeshja është zyrtarizuar nga WBC dhe PBC. Hadribeaj hyn në ring si sfidues i pamposhtur dhe pretendent i detyrueshëm (mandatory challenger) i Fundorës. Boksieri shqiptar ka një rekord prej 23 fitoresh, asnjë humbjeje dhe një barazimi, ndërsa Fundora ka një bilanc prej 24 fitoresh, 1 humbjeje dhe 1 barazimi, me 16 fitore të arritura me nokaut.

Hadribeaj ka qenë mjaft aktiv në përgatitje të kësaj sfide dhe së fundmi ka publikuar pamje nga stërvitjet e tij së bashku me kampionin e botës, Tyson Fury. Me këtë rast, boksieri shqiptar ka paralajmëruar edhe ndeshjen me Fundorën, ndërsa në fund të stërvitjes, dy boksierët kanë bërë simbolin e shqiponjës me duar, në një moment me simbolikë të thellë shqiptare.

“Snajperi” shqiptar e ka bërë të qartë edhe më herët se nuk i frikësohet kampionit amerikan. Hadribeaj ka deklaruar se synon ta luftojë Fundorën nga afër, duke shfrytëzuar shpejtësinë, saktësinë dhe lëvizjet e tij.

Ndeshja do të zhvillohet më 17 tetor në The Chelsea at The Cosmopolitan në Las Vegas, ku në lojë do të jetë titulli i WBC-së.