**SHBA Lëshon Paralajmërim Sigurie, Trump Kthehet nga Camp David më Herët**

Misionet diplomatike amerikane në Izrael dhe Lindjen e Mesme kanë lëshuar një alarm të përgjithshëm sigurie për qytetarët amerikanë në rajon. Kjo vjen për shkak të rritjes së tensioneve dhe frikës nga një përshkallëzim i shpejtë i situatës.

Sipas Ambasadës së SHBA-së në Izrael, ekziston rreziku që Irani dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Huthitët – të cilët kanë kryer sulme ndaj objektivave në Arabinë Saudite – mund të shënjestrojnë misione diplomatike, kompani dhe institucione amerikane në Lindjen e Mesme dhe kudo në botë.

Qytetarët janë paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të fluturimeve dhe mbyllje të hapësirës ajrore në rajon. Atyre u kërkohet të mbajnë një nivel të lartë vigjilence, të furnizohen me ushqim dhe ujë, si dhe të shkarkojnë aplikacione për njoftime në kohë reale.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë nga Camp David, Maryland, një ditë më herët se sa ishte planifikuar, sipas raportimeve të mediave amerikane. Kthimi i tij i parakohshëm vjen pas një alarmi të ri sigurie të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili u këshilloi amerikanëve në Lindjen e Mesme “të ruajnë vigjilencën maksimale” dhe të përgatiten për ndërprerje të mundshme të udhëtimeve, në vazhdën e sulmeve të reja të kryera nga Huthitët e mbështetur nga Irani kundër Arabisë Saudite. “Ky konflikt ushtarak ka potencialin për përshkallëzim të shpejtë,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Po ashtu, Huthitët e Jemenit deklaruan se sulmuan vende “të ndjeshme” në kryeqytetin saudit, Riad, të shtunën me raketa dhe dronë. Kjo ndodhi disa orë pasi flakë dhe një re e madhe tymi u panë pranë aeroportit kryesor të qytetit.

Arabia Saudite kishte lëshuar paralajmërime gjatë natës për rrezik të mundshëm rreth Riadit, në mes të një përshkallëzimi të sulmeve të Huthitëve në mbretëri. Huthitët nuk specifikuan objektivat e tyre në Riad, por thanë se kishin sulmuar gjithashtu një strukturë të Aramco-s në qytetin Yanbu të Detit të Kuq, një qendër kyçe për eksportin e naftës saudite.