Vrasje makabre në Tiranë: Hysni Patushi godet për vdekje gruan para nipërve

Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën të shtunën, kur 68-vjeçari Hysni Patushi akuzohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushi, duke e goditur me thikë. Detaje të reja zbardhin se ka qenë nipi 14-vjeçar i çiftit ai që ka njoftuar policinë për krimin.

Sipas raportimeve të Panorama.com, fëmija, bashkë me të vëllain 8-vjeçar, kanë qenë dëshmitarë të momentit tragjik kur gjyshi i tyre i mori jetën gjyshes. Ai mësohet t’u ketë thënë autoriteteve me zë të dridhur: “Gjyshja ka vdekur.”

Nipi 14-vjeçar u ka treguar hetuesve se ngjarja ka ndodhur pas një debati të ashpër mes çiftit. Pas kryerjes së krimit, Hysni Patushi u largua me shpejtësi, duke hedhur thikën e krimit rreth 200 metra larg pallatit ku jetonin.

Autori i dyshuar u strehua te një i afërm i tij në Kamzë. Ishte pikërisht kushëriri ai që njoftoi policinë për vendndodhjen e Patushit, duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Krimi i rëndë ndodhi paraditen e së shtunës, më 19 shtator. Përveç dy nipërve të mitur, në banesë ishte i pranishëm edhe dhëndri i çiftit. Lumturie Patushi, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore të menjëhershme, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra nga goditjet me thikë. Motivet e sakta të vrasjes mbeten ende të paqarta, megjithëse burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se çifti kishte pasur probleme të mëparshme.