Luksemburgu ka forcuar monitorimin e hapësirës ajrore pas raportimeve për dronë të paidentifikuar pranë aeroportit të vendit. Autoritetet kanë vendosur pajisje shtesë për zbulimin e dronëve, ndërsa për këtë qëllim janë përdorur edhe mjete të siguruara nga vende partnere.

Qeveria e Luksemburgut njoftoi të dielën se pajisjet e reja kanë ndihmuar në rritjen e kapaciteteve për monitorimin dhe analizimin e hapësirës ajrore. Sipas autoriteteve, ato kanë bërë të mundur një vlerësim më të qartë të situatës.

Alarmi nisi të premten në mbrëmje, kur u raportua për praninë e disa dronëve të paidentifikuar dhe të paautorizuar pranë aeroportit të Luksemburgut. Për shkak të situatës, operimet e fluturimeve u pezulluan përkohësisht si masë paraprake. Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar origjinën dhe qëllimin e dronëve.

Edhe të shtunën në mbrëmje, policia mori disa telefonata dhe raportime për praninë e dyshuar të dronëve në hapësirën ajrore të vendit. Megjithatë, pas verifikimeve, autoritetet thanë se nuk u konstatua ndonjë situatë që kërkonte ndërhyrje.

Kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, deklaroi se vendi po përballet me një situatë të re. Sipas tij, gjatë ditëve të fundit janë vërejtur dronë që mund të kenë qenë më të mëdhenj se modelet e zakonshme.

Është diçka e re për Luksemburgun”, tha Frieden, duke iu referuar pranisë së mundshme të dronëve më të mëdhenj në hapësirën ajrore të vendit.

Qeveria ka ngritur një njësi të posaçme për vlerësimin e situatës me dronët. Kjo strukturë po punon në bashkëpunim me partnerë të huaj për të monitoruar vazhdimisht hapësirën ajrore dhe për të analizuar çdo raportim të ri.

Deri tani, autoritetet nuk kanë njoftuar për dëme apo incidente të tjera të shkaktuara nga dronët. Monitorimi dhe hetimet pritet të vijojnë në ditët në vazhdim.