Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar lidhur me Çlirim Hazirin, djalin e veprimtarit të zhdukur Xhavit Haziri, duke thënë se ai është bërë një prej figurave të pranishme në protestat për drejtësi.
Deliu ka shkruar se Çlirim Haziri është rritur duke pritur një lajm për babanë e tij, ndërsa sot, sipas saj, ai nuk është mbyllur në dhimbje, por qëndron në ballë të kërkesës për drejtësi.
“Ai e di çfarë do të thotë të presësh. Çlirim Haziri është rritur duke pritur një lajm për babanë e tij, veprimtarin e zhdukur Xhavit Haziri. Megjithatë, sot nuk e gjejmë të mbyllur në dhimbje, por në shesh, në ballë të kërkesës për drejtësi. Me qetësinë e tij na jep forcë. Me këmbënguljen e tij na zgjon ndërgjegjen. Me praninë e tij na kujton se dorëzimi nuk është zgjedhje. Çlirimi është bërë ikonë e protestave tona sepse ai nuk flet vetëm për dhimbjen e vet. Ai mishëron pritjen dhe shpresën e një populli të tërë. Qëndro i fortë, Çlirim! Kosova qëndron me ty”, ka shkruar Deliu. /Gazeta Express
