Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani duhet të zgjedhë mes një marrëveshjeje me SHBA-në, përballjes me presionin ekonomik dhe asaj që ai e cilësoi si “shkatërrimin” e vendit.

Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump tha se së shpejti duhet të marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me hapat e ardhshëm të SHBA-së në konfliktin me Iranin, shkruan A2cnn.

“Pyetja ime është: kur dhe nëse do ta shkatërroj të gjithë vendin?”, është shprehur Trump, duke shtuar se Irani “më mirë të sillet mirë”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment të tensionuar, ndërsa administrata e tij po shqyrton opsionet për vijimin e konfliktit dhe mundësinë e përshkallëzimit të operacioneve ushtarake.

Vetëm pak ditë më parë, Trump i kishte thënë Axios se kishte përpara një “vendim të madh” dhe se po konsideronte mundësinë e rikthimit në operacione ushtarake në shkallë të gjerë.