Agjenda kulturore: Ku të shkojmë, çfarë të shohim dhe të bëjmë?

Vjeshta ka mbërritur, më serioze se kurrë më parë, por njëkohësisht sjell edhe një sërë ngjarjesh arti, kulture, filmi dhe muzike që dëshmojnë se liria ka emër.

Ka javë kur qytetet shërbejnë thjesht për argëtim, dhe javë të tjera kur na ftojnë të marrim pjesë, të mbajmë qëndrim, të reflektojmë dhe të shohim pak më larg se zakonisht. Kjo është pikërisht një prej atyre javëve: Prishtina çdo natë është nikoqire e protestës “Liria ka emër”; më tej, diskutimi vazhdon me festivalin FEMART me temën “Ri-imagjinimi Feminist”.

Gjithashtu, kemi sezonin e ri të Filharmonisë, dyvjetorin e revistës “Me Diell”, lançimin e “Potpuri”, filmin “DUA” dhe premierën në Pejë të “Shame and Money”. Ferizaj na fton të krijojmë lojëra në kuadër të “Mural Fest”, ndërsa në Tiranë hapet ekspozita e Ibrahim Kodrës, vijnë kukulla nga e gjithë bota dhe nis festivali TIFF me temën “HUMANOGRAPHY”. Ndërkaq, në Podgoricë, Arben Golemi prezanton Beratin e tij në ekspozitën “My City”.

Pra, këtë javë kemi mundësinë të protestojmë, të mendojmë, të dëgjojmë, të lexojmë, të luajmë dhe të shohim – dhe ndoshta të dalim nga çdo ngjarje pak më ndryshe nga ç’hymë.