Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka deklaruar se organizata do të mbështesë protestat popullore paqësore dhe u ka bërë thirrje partive politike të bashkohen për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Gucati theksoi se OVL-UÇK-ja do të përkrahë çdo iniciativë për protesta popullore, me kusht që ato të jenë paqësore. Ai konfirmoi mbështetjen edhe për protestën e studentëve dhe bëri të ditur se organizata pritet të diskutojë për organizimin e protestave të veta në mbledhjen e ardhshme të kryesisë.
“Organizatat e dala nga lufta, veçanërisht veteranët, do të jenë gjithmonë në mbështetje të çdo iniciative proteste popullore. Ne dëshirojmë protesta jo të dhunshme, sepse nuk duam që vendi ynë të digjet. Kjo Kosovë është e jona, e kemi ndërtuar me gjak dhe me mund,” deklaroi Gucati. Ai shtoi se OVL-UÇK-ja nuk do të ndalet me protesta derisa të arrihet suksesi i synuar.
Lidhur me nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Hagës, Gucati e vlerësoi atë si një hap të mirë, duke shtuar se “më mirë vonë se kurrë, edhe pse me vonesë”. Megjithatë, ai theksoi se qëllimi final duhet të jetë shfuqizimi i plotë i Gjykatës Speciale.
Gucati pohoi se OVL-UÇK-ja ka qenë “një hap përpara” partive politike, duke theksuar se pesë pikat e tyre të paraqitura publikisht tashmë janë dorëzuar. Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike të bashkohen për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. “Mos të kenë frikë deputetët; nëse ata frikësohen, ne qytetarët jemi këtu për t’i mbrojtur. Do të jemi me ta ditë e natë, veç ta shfuqizojnë këtë vendim të kësaj gjykate,” tha Gucati, duke theksuar se çdo qytetar shqiptar do të mbështesë deputetët në këtë përpjekje.
