Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar nga protesta e studentëve në kryeqytet se do t’i përkrahin protestat e studentëve dhe qytetarëve lidhur me zhvillimet pas vendimit të 16 shtatorit.

Rama u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestave në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke kërkuar, siç tha ai, drejtësi të barabartë.

“Do t’i përkrahim protestat e studentëve e qytetarëve dhe kushdo që dëshiron të shprehet për atë se çfarë ndodhi më 16 shtator. Jeni të mirëseardhur të gjithë në kryeqytet për t’i përkrahur çlirimtarët, për drejtësi të barabartë, jo drejtësi që cenohet nga intervenimet e njerëzve të ndryshëm apo shtete të ndryshme”, tha Rama.

Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se kjo, sipas tij, nuk mund të ndryshohet.

“UÇK-ja ka luftuar për mbrojtjen e familjeve të tyre, për mbrojtjen e dinjitetit, për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë, të fëmijëve tanë dhe të ardhmes sonë. Këtë e them sot, tash e pesë ditë, gjashtë ditë e përgjithmonë”, u shpreh Rama.