Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u mbajt seanca gjyqësore e radhës ndaj Princ Valentino Corleones, i njohur si Vali Corleone, ku u dha fjala përfundimtare në procesin penal kundër tij.
Gjatë seancës së sotme, Prokuroria kërkoi dënimin e të akuzuarit për veprën penale që i vihet në ngarkim, ndërsa mbrojtja e tij kërkoi lirimin nga akuzat.
Corleone, i cili në këtë proces ishte deklaruar i pafajshëm, nuk bëri asnjë deklaratë të shtuar gjatë fjalës së tij në seancën e sotme.
Procesi kundër tij lidhet me një ngjarje të dyshuar të 17 marsit 2023, që thuhet të ketë ndodhur në një motel në Çagllavicë. Aktakuza ishte ngritur më 29 qershor 2023.
Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se Corleone, në shoqërinë e dy vajzave, kishte ftuar edhe një tjetër, të cilës dyshohet se i kishte ofruar kokainë për konsum. Gjatë kontrollit policor, atij i ishin gjetur një dozë dhe një sasi kokaine, me peshë totale prej 0.39 gramësh.
Prokuroria e akuzon për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, bazuar në nenin 267, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Vlen të theksohet se në seancën fillestare të 22 prillit 2025, Vali Corleone ishte deklaruar i pafajshëm. Më herët, ai ishte detyruar të paraqitej në gjykatë, pasi kishte munguar në dy seanca radhazi, me urdhër të gjyqtarit për sigurimin e pranisë së tij në proces.
