Real Madridi pati një pasdite shumë zhgënjyese të dielën në “RiyadhAir Metropolitano”, pasi humbi 2-1 ndaj Atletico Madridit në derbin e parë madrilen të sezonit.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe presidenti Florentino Perez dhe, ndonëse edhe ai ishte i pakënaqur, arsyeja kryesore nuk kishte të bënte me atë që ndodhi në fushë.

Pavarësisht rivalitetit që ekziston mes Real Madridit dhe Atleticos, Perez mori pjesë në ndeshje për shkak të marrëdhënies së tij të mirë me homologun Enrique Cerezo.

Megjithatë, ndjenjat miqësore u zbehën shpejt kur 79-vjeçari u informua se ish-rivali i tij në zgjedhjet presidenciale, Enrique Riquelme, ndodhej në tribunën e drejtuesve në “RiyadhAir Metropolitano”, siç zbuloi Juanma Castano në “El Partidazo de COPE” (përmes “Marca”).

“Në drekën mes drejtuesve në dhomën e pritjes para fillimit të ndeshjes, Florentino Perez, i cili shkoi në Metropolitano sepse ka një marrëdhënie shumë të mirë me Enrique Cerezon… Dhe Miguel Ángel Gil Marin, i cili nuk shkoi në ‘Metropolitano’, nuk mund ta durojë fare atë… Kur përfundoi vakti, dikush i tha Florentinos: ‘jemi në dijeni se Enrique Riquelme është ftuar në lozhën presidenciale’. Florentino Perez zemërohet dhe thotë se po largohet, se po largohet. Më pas, në një moment, gjatë largimit nga lozha, ai takohet me Riquelmen. E qetësojnë, Florentino qëndron për ta parë ndeshjen… por bën shumë zhurmë, duke pyetur se çfarë kuptimi ka që Riquelme të jetë në lozhën presidenciale?”, thuhet në raportim.

Perez mund t’i ketë fituar zgjedhjet presidenciale, të zhvilluara në qershor, por gara kundër Riquelmes ishte larg të qenit miqësore.

Nuk është e papritur që ai të ketë reaguar kaq ashpër ndaj faktit se ndodhej në të njëjtën hapësirë me ish-rivalin e tij, megjithëse ka shumë gjasa që në fund të ndeshjes zemërimi i tij të jetë drejtuar ndaj ekipit të arbitrimit./GazetaExpress/