Shqipëria është bërë vendi i 73-të që nënshkruan Marrëveshjet Artemis, duke iu bashkuar vendeve që angazhohen për eksplorimin paqësor, transparent dhe të qëndrueshëm të hapësirës.

Marrëveshja u nënshkrua të hënën në selinë e NASA-s në Uashington, gjatë një ceremonie ku Shqipërinë e përfaqësoi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Në ceremoni morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Ervin Bushati, si dhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Hapësirën dhe Mjedisin, Connor Tomlinson.

“Është privilegj të mirëpres Republikën e Shqipërisë si nënshkruesen e 73-të të Marrëveshjeve Artemis”, tha zëvendësadministratori i NASA-s, Matt Anderson.

Ndërsa Hoxha e cilësoi këtë hap si një nder të madh për Shqipërinë, duke theksuar se vendi konfirmon përkushtimin ndaj eksplorimit paqësor, transparent, të qëndrueshëm dhe bashkëpunues të hapësirës, transmeton IndeksOnline.

“Shqipëria është një vend thellësisht i përkushtuar ndaj së drejtës ndërkombëtare, bashkëpunimit shumëpalësh dhe besimit se arritjet më të mëdha të njerëzimit realizohen përmes partneriteteve”, tha Hoxha.

Shqipëria ka ndërmarrë edhe më herët hapa për forcimin e kapaciteteve të saj në fushën e hapësirës. Në janar të vitit 2023, ajo lëshoi dy satelitë për vëzhgimin e Tokës, Albania-1 dhe Albania-2, me raketën Falcon 9 të SpaceX nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida.

Marrëveshjet Artemis u krijuan në vitin 2020 nga NASA dhe Departamenti amerikan i Shtetit, së bashku me shtatë vende themeluese. Ato përcaktojnë parime për eksplorimin e sigurt dhe të koordinuar të Hënës, Marsit dhe hapësirës përtej tyre.

Vendet nënshkruese angazhohen, ndër të tjera, për eksplorim paqësor dhe transparent, ndihmë ndaj personave në nevojë, shkëmbim të të dhënave shkencore, shmangien e ndërhyrjeve në aktivitetet e vendeve të tjera dhe mbrojtjen e vendeve e objekteve me rëndësi historike.

Nënshkrimi i marrëveshjes i hap Shqipërisë mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm me NASA-n në projektet e ardhshme të eksplorimit hënor dhe zhvillimit të teknologjive hapësinore. /IndeksOnline/

Postimi i plotë: