Stuhia mediatike rreth Granit Xhakës dhe skandalit me certifikatën e falsifikuar të vaksinimit nuk ka kaluar pa një reagim të fortë nga familja.
Vëllai i tij i madh, Taulant Xhaka (35-vjeç), ka zgjedhur të thyejë heshtjen për t’i dalë në mbrojtje kapitenit të kombëtares zvicerane në këtë moment delikat.
Ish-ylli i Baselit ka shprehur solidaritetin e tij të plotë përmes një postimi të ndjerë në Instagram, ku u kujton opinionit publik dhe mediave kontributin e jashtëzakonshëm të 33-vjeçarit.
Duke publikuar një foto të Granitit me fanellën e kombëtares, Taulanti shkroi: “Të gjithë bëjnë gabime. Askush nuk është perfekt. Ju lutem, mos e harroni kurrë një gjë: atë që Granit Xhaka, vëllai im, ka bërë për Zvicrën gjithë këto vite. Sa shumë zemër, pasion dhe krenari ka treguar për këtë vend dhe këtë fanellë”.
Mesazhi i Taulantit nuk u ndal vetëm te mbrojtja e vëllait, por përfshiu edhe një shigjetim të drejtpërdrejtë ndaj gazetarëve dhe kritikëve që e kanë vënë mesfushorin në qendër të sulmeve.
“Edhe ju keni bërë gabime në jetën tuaj,” theksoi ai me tone të prera për mediat.
“Gjëja më e rëndësishme nuk është të mos bësh kurrë gabime, por t’i pranosh ato, t’i njohësh dhe të mësosh prej tyre”, e mbylli ai.
Ky reagim vjen në një periudhë ku presioni mbi Granit Xhakën është mbytës. Ndërkohë që ai ka pranuar publikisht gabimin e tij, debati në Zvicër vazhdon të jetë i ndezur rreth së ardhmes së tij në ekipin kombëtar dhe mbajtjes së shiritit të kapitenit. Në sytë e Taulantit, faji i momentit nuk mund dhe nuk duhet të fshijë historinë dhe sakrificat e vëllait të tij për ngjyrat e Zvicrës./GazetaExpress/

