Institucionet e Kosovës po intensifikojnë kërkimet për persona të zhdukur nga lufta e fundit, duke kryer gërmime të reja në Serbi dhe duke vazhduar procesin e identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura brenda vendit. Këto përpjekje vijnë mes dyshimeve për ekzistencën e të paktën 11 varrezave masive në territorin serb.

Institucionet kosovare i janë kthyer sërish kërkimeve në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi. Atje dyshohet se mund të gjenden mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky është viti i tretë që ky vend, një zonë e shfrytëzuar si deponi mbeturinash ku dyshohet për mbetje mortore në një thellësi prej 15 metrash, është pjesë e agjendës së kërkimeve, sqaron Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.

Gara thekson se gërmimet do të vazhdojnë edhe pa një informacion të saktë për lokacionin. “Si institucion, si delegacion, sigurisht që nuk mund t’i themi jo asnjë gërmimi në territorin e Serbisë, por megjithatë do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptim të menaxhimit të pritshmërive”, shprehet ai për Radion Evropa e Lirë (REL).

Aktualisht janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, bazuar edhe në pamje satelitore. Megjithatë, Gara thekson se këto pamje nuk mbulojnë periudhën më të rëndësishme, prill-maj 1999, kur u zbatua urdhri zyrtar i Beogradit “S’ka trup – s’ka krim”, dhe kur ndodhi bartja e kufomave në lokacione të ndryshme në Serbi.

**Identifikimi i viktimave në Zubin Potok**

Ndërkohë, në Kosovë po vijon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës së këtij viti në tri varreza masive, në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut. Deri më tani, janë konfirmuar tri viktimat e para: Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Salih Mëziu. Puna po vazhdon për identifikimin e njëzet të tjerave.

Gara sqaron se rezultatet për pjesën tjetër të mbetjeve do të varen nga procesi laboratorik në Hagë të Holandës, ku po kryhen analizat e ADN-së nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Mostrat janë dërguar në fillim të shtatorit. Pas marrjes së rezultateve të ADN-së, Instituti për Mjekësi Ligjore i Kosovës do të përfundojë procedurat e konfirmimit të identitetit dhe dokumentacionit.

Varrezat në Kalludër të Vogël dhe Jabukë u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të kryer nga institucionet e Kosovës, falë punës së hetuesve të Policisë së Kosovës për krime lufte dhe komunikimit me dëshmitarët e mundshëm.

**”Të paktën 11 varreza masive në territorin e Serbisë”**

Në intervistën për REL-in, Gara pohon se rajoni i Rashkës, në Serbi, mbetet një zonë me interes të veçantë për kërkimet e ardhshme. Institucionet e Kosovës kërkojnë nga Serbia të vërë në dispozicion një listë me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001.

Deri më tani, janë konfirmuar pesë varre masive: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnica dhe Kizhevak, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima. “Nëse këto pesë varreza janë pjesë e listës me 16, atëherë i bie që në territorin e Serbisë ka të paktën 11 varreza masive të pazbuluara ende”, thekson Gara. Ai përmend edhe lokacione të tjera ku Kosova kërkon qasje ose rikthim për gërmime, si Batajnica, Peruçac dhe zona e Shtavalit.

Gara thekson rëndësinë e presionit dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë pamjet satelitore të siguruara prej tyre, për identifikimin dhe hapjen e lokacioneve të kërkimit në Serbi. Institucionet e Kosovës vazhdojnë të kërkojnë rritjen e presionit ndaj Serbisë për të ofruar të dhëna nga arkivat dhe për të lejuar gërmimet.

**Kërkimet në Kosovë**

Edhe brenda territorit të Kosovës, kërkimet vazhdojnë. Aktualisht po gërmohet për një të zhdukur në komunën e Skenderajt. Në ditët në vijim pritet të nisin gërmimet edhe në varrezat e qytetit në Mitrovicë të Veriut, si dhe në rajonet e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.

Varrezat e qyteteve të mëdha janë veçanërisht sfiduese, pasi dyshohet se gjatë dhe pas luftës ato janë përdorur edhe për fshehjen e trupave. Megjithatë, Gara thekson se jo çdo eshtër e gjetur do të ndërlidhet domosdoshmërisht me viktimat e luftës.