Çmimi i naftës ka rënë nën 100 dollarë për fuçi, pas raportimeve se Irani ka bërë një ofertë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Lëvizja në tregjet e naftës erdhi pas një raporti të agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo, sipas të cilit Irani ka ofruar ta rihapë ngushticën brenda shtatë ditëve, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapa fillestarë për të lehtësuar presionin ushtarak.
“Ekziston mundësia për të ecur drejt një marrëveshjeje”, i ka thënë Kyodos një zyrtar i lartë i qeverisë iraniane.
Megjithatë, zyrtari ka theksuar se Uashingtoni duhet të tregojë “seriozitet dhe përkushtim” nëse synohet përparimi i diplomacisë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë dhe çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë zonë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.
