Barcelona ka zyrtarizuar një marrëveshje pesëvjeçare bashkëpunimi me kompaninë “Nespresso”, e cila do të jetë në fuqi deri në vitin 2031.

Sipas marrëveshjes, “Nespresso” do të bëhet partneri zyrtar i klubit në kategorinë e kafesë, si pjesë e strategjisë së Barcelonës për të zgjeruar rrjetin e partnerëve komercialë të lidhur me klubin dhe objektet e tij.

Bashkëpunimi do të implementohet gradualisht në “Spotify Camp Nou”. Në fazën e parë, produktet e “Nespresso” do të jenë të pranishme në hapësirat VIP të stadiumit, ku mysafirët do të mund t’i shijojnë gjatë ndeshjeve të Barcelonës, por edhe gjatë aktiviteteve dhe eventeve të tjera që do të organizohen në stadium.

Të dyja palët e konsiderojnë këtë marrëveshje si një mundësi për të krijuar përvoja të reja për tifozët dhe vizitorët, duke kombinuar sportin dhe argëtimin me produktet dhe zgjidhjet profesionale të “Nespresso”.

Partneriteti i ri vjen pak kohë pasi Barcelona nënshkroi edhe një marrëveshje tjetër sponsorizimi me “Telefónica”, duke dëshmuar përpjekjet e vazhdueshme të klubit për të zgjeruar portofolin e partnerëve të tij komercialë.

“Nespresso”, një kompani me shtrirje globale

“Nespresso” është një prej emrave më të njohur në tregun botëror të kafesë me kapsula.

Kompania bashkëpunon me më shumë se 168 mijë fermerë në 18 vende të ndryshme përmes programit “AAA Sustainable Quality Programme”, i cili u lansua në vitin 2003 në bashkëpunim me organizatën “Rainforest Alliance”.

Në vitin 2022, “Nespresso” mori certifikimin “B Corp”, që lidhet me përmbushjen e standardeve në fushën e përgjegjësisë sociale, ndikimit mjedisor dhe transparencës së biznesit.

Me seli në qytetin zviceran Vevey, kompania operon në 96 tregje dhe numëron më shumë se 14 mijë punonjës.

Deri në vitin 2024, “Nespresso” kishte krijuar një rrjet global prej 818 dyqanesh.

Përmes sektorit “Nespresso for Business”, kompania ofron gjithashtu zgjidhje të personalizuara për biznese dhe institucione të ndryshme, duke përfshirë restorante, kafene, hotele dhe zyra.

Oferta përfshin aparate dhe produkte të dizajnuara posaçërisht për përdorim profesional.

Me marrëveshjen e re, “Nespresso” i bashkohet listës së partnerëve të Barcelonës, ndërsa bashkëpunimi mes dy palëve do të zgjasë deri në vitin 2031. /GazetaExpress/