Pacientët që marrin injeksione me kortikosteroide duhet të paralajmërohen më qartë për rrezikun e reaksioneve të rënda alergjike, përfshirë anafilaksinë, ka deklaruar një mjeke ligjore në Britani, pasi një grua 77-vjeçare humbi jetën pas një injeksioni rutinë në ordinancën e mjekut të familjes.
Jane Turner, nga veriu i Londrës, mori një injeksion me steroid më 12 shtator. Këto injeksione përdoren zakonisht për të reduktuar inflamacionin dhe dhimbjen në nyje, si dhe në disa probleme muskulore.
Vetëm dhjetë minuta pas procedurës, Turner u kthye në ordinancë duke u ankuar për vështirësi në frymëmarrje.
Pesë minuta më vonë, gjendja e saj u përkeqësua ndjeshëm dhe ajo hyri në një fazë kritike para arrestit kardiak, kur zemra rrezikon të ndalojë së pompuari gjakun në mënyrë efektive nëpër trup.
U thirr menjëherë ambulanca, por Turner ndërroi jetë në spital 16 ditë më vonë.
Reaksioni alergjik shkaktoi dëmtim serioz të trurit
Si shkak i vdekjes u regjistrua një reaksion alergjik i lidhur me injeksionin, i cili çoi në mungesë të oksigjenit dhe, si pasojë, në dëmtim serioz të trurit.
Faqja zyrtare e NHS paralajmëron se injeksionet me steroide mund të shkaktojnë në raste të rralla komplikime serioze, përfshirë reaksionin alergjik potencialisht fatal të njohur si anafilaksi.

Megjithatë, sipas raportit të mjekes ligjore Mary Hassell, nuk ekzistonte një kërkesë e njëtrajtshme që pacientët të paralajmëroheshin posaçërisht për këtë rrezik përpara marrjes së injeksionit.
Hassell e cilësoi këtë si një boshllëk që duhet adresuar.
“Ekzistojnë udhëzime të Departamentit të Shëndetësisë lidhur me rrezikun e reaksioneve të rënda dhe kërcënuese për jetën pas imunizimit, por nuk ka udhëzime të ngjashme për rrezikun pas injeksioneve me steroide. Kjo duket si një mangësi”, tha ajo.
Kërkohet veprim për të parandaluar raste të tjera
Në raportin për parandalimin e vdekjeve të ardhshme, të dërguar autoriteteve britanike, Hassell paralajmëroi se mungesa e masave mund të krijojë rrezik për raste të tjera.
“Nëse nuk ndërmerret veprim për të adresuar këto shqetësime, ekziston një rrezik i konsiderueshëm për vdekje të tjera në të ardhmen dhe besoj se autoritetet kanë fuqinë për të ndërmarrë masa”, thuhet në raport.
Anafilaksia pas një injeksioni me steroid konsiderohet një komplikim i rrallë. Megjithatë, si çdo reaksion i rëndë alergjik, ajo mund të zhvillohet me shpejtësi dhe kërkon trajtim urgjent.
Për çfarë përdoren injeksionet me kortikosteroide?
Injeksionet me kortikosteroide, ku përfshihen preparate si hidrokortizoni, përdoren shpesh për trajtimin e dhimbjes dhe inflamacionit në nyje.
Efekti i tyre mund të zgjasë për disa javë ose disa muaj, në varësi të preparatit, gjendjes që trajtohet dhe reagimit të pacientit.
Kortikosteroidet mund të ndikojnë gjithashtu në sistemin imunitar, duke rritur në disa raste ndjeshmërinë ndaj infeksioneve.
Efekte të tjera serioze anësore, edhe pse jo të zakonshme, mund të përfshijnë ndryshime të humorit dhe probleme me funksionimin e gjëndrave mbiveshkore. Këto të fundit mund të shoqërohen me simptoma si temperaturë, konfuzion, etje e pazakontë, vështirësi në frymëmarrje ose gjendje e rënduar e përgjithshme.
Rregullatori britanik do të rishikojë paralajmërimet
Në përgjigje të raportit, Departamenti britanik i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social i shprehu ngushëllime familjes së Turner.
Autoritetet bënë gjithashtu të ditur se Agjencia Rregullatore për Barnat dhe Produktet Shëndetësore, MHRA, do të punojë për të siguruar që informacioni për injeksionet me steroide të përmbajë paralajmërime të qarta dhe të njëtrajtshme për rrezikun e anafilaksisë.
Sipas përgjigjes zyrtare, MHRA planifikon të rishikojë informacionin e produkteve për injeksionet me steroid, në mënyrë që paralajmërimet për reaksionet anafilaktike të paraqiten në mënyrë të përshtatshme dhe të jenë konsistente.
Agjencia theksoi se raportimet nga profesionistët shëndetësorë, pacientët dhe palët e tjera merren seriozisht dhe se vazhdon monitorimi i reaksioneve të padëshiruara të lidhura me këto barna.
Diskutohet edhe monitorimi pas injeksionit
Edhe “Resuscitation Council UK” mbështeti nevojën për një shqyrtim më të kujdesshëm të procedurave.
Organizata deklaroi se duhet të vlerësohet nëse pacientëve që marrin injeksione të tilla duhet t’u jepen udhëzime të standardizuara për rrezikun e reaksioneve të rënda alergjike, si dhe për kohën e monitorimit pas injeksionit.
Në Britani, dhjetëra mijëra persona marrin çdo vit të paktën një injeksion me kortikosteroide, ndërsa disa pacientë marrin më shumë se një gjatë vitit.
Ka debat edhe për përdorimin afatgjatë
Përveç rrezikut të rrallë të reaksioneve alergjike, përdorimi i shpeshtë i injeksioneve me kortikosteroide në nyje është gjithashtu objekt diskutimi në komunitetin mjekësor.
Disa studime kanë ngritur shqetësime se përdorimi i përsëritur në rrethana të caktuara mund të lidhet me përkeqësimin e dëmtimit të kërcit të nyjeve.
Për këtë arsye, mjekët zakonisht duhet të peshojnë përfitimet dhe rreziqet për secilin pacient individualisht, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore, shpeshtësinë e injeksioneve dhe alternativat e tjera të trajtimit.
Rasti i Jane Turner ka shtuar thirrjet që pacientët të informohen më qartë jo vetëm për përfitimet, por edhe për komplikimet e rralla dhe potencialisht serioze përpara se të marrin një injeksion me steroid. /GazetaExpress/
