Një avion luftarak amerikan F-16 është rrëzuar të martën pasdite brenda territorit të bazës ajrore amerikane Spangdahlem, në rajonin Eifel të landit Renania-Palatinat, në Gjermani.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni është rrëzuar rreth orës 14:10 me orën lokale, pranë pistës së bazës. F-16 i përkiste Skuadronit të 480-të Luftarak të Krahut të 52-të Luftarak, të dislokuar në Spangdahlem.
Raportimet paraprake bëjnë me dije se piloti ka aktivizuar sistemin e nxjerrjes dhe ka arritur të shpëtojë. Ndërkohë, sipas rrjetit n-tv, që citon administratën rajonale të Bitburg-Prüm, të paktën një person ka mbetur i plagosur.
Dëshmitarë në zonë kanë raportuar se avioni humbi lartësi përpara se pranë pistës të ngrihej një kolonë e madhe tymi të zi.
Mediat lokale raportojnë gjithashtu se dy avionë ishin ngritur në ajër përpara incidentit.
Shkaqet e rrëzimit nuk janë bërë ende të ditura. Deri në këto momente, autoritetet amerikane në bazën Spangdahlem dhe autoritetet gjermane nuk kanë dhënë detaje të plota mbi rrethanat e aksidentit apo gjendjen e personave të përfshirë.
Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të incidentit pritet të vijojnë.
