Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në takimin ministror të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC) me partnerët e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Brdo pranë Kranjit në Slloveni.
Gjatë takimit, Maqedonci ka rikonfirmuar orientimin strategjik të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për sigurinë dhe stabilitetin.
Në fjalën e tij, Maqedonci ka theksuar se siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor janë të ndërlidhura.
“Siguria e Evropës Qendrore dhe e Ballkanit Perëndimor është e ndërlidhur”, ka thënë Maqedonci, duke prezantuar edhe progresin e Kosovës në ndërtimin e një force profesionale dhe bashkëvepruese.
Ai ka paraqitur gjithashtu prioritetet e Kosovës për përmbylljen e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Në kuadër të takimit, Maqedonci ka zhvilluar takime bilaterale me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes së Republikës Çeke, Jaromír Zůna, si dhe me ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, Valentin Hajdinjak.
Në takimin me ministrin çek, sipas njoftimit, është diskutuar për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, me fokus në industrinë e mbrojtjes, transferimin e teknologjisë, si dhe trajnimin dhe edukimin ushtarak.
Ndërkaq, gjatë takimit me homologun slloven, është theksuar mbështetja e Sllovenisë për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
Maqedonci e ka njoftuar ministrin Hajdinjak për të arriturat e Kosovës në fushën e mbrojtjes, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe synimet për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Nga ana tjetër, Hajdinjak ka shprehur gatishmërinë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, si dhe për vazhdimin e kontributit të Sllovenisë në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrja e Maqedoncit në takimin ministror të CEDC-së dhe takimet bilaterale me partnerët evropianë dëshmojnë angazhimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, forcimin e partneriteteve strategjike dhe kontributin në sigurinë rajonale e evropiane.
