Tenori me famë botërore dhe veterani i luftës çlirimtare, Ramë Lahaj, iu drejtua sonte qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e shtatë të protestës “Jo në emrin tim”. Protesta po mbahet në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në fjalën e tij, Lahaj bëri thirrje për unitet dhe për ruajtjen e vlerave të lirisë dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke iu bashkuar mesazheve të protestuesve për drejtësi dhe për mbrojtjen e trashëgimisë së luftës çlirimtare.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”, të cilën Lahaj e këndoi së bashku me qytetarët e pranishëm.
Tenori, i cili është edhe ish-ushtar i UÇK-së, bëri po ashtu Betimin e Ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke sjellë një prej momenteve më simbolike të protestës së mbrëmjes.
Lahaj ishte paralajmëruar si një nga folësit kryesorë të natës së shtatë të protestës, së bashku me figura të tjera nga arti, media dhe rinia.
