**Dyshimet ndaj Vlora Hysenit: Detaje mbi informacionet sekrete të dyshuara të dhëna Ergys Agasit**

Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, dyshohet se i ka dhënë biznesmenit Ergys Agasi informacione sekrete, të cilat i kishte siguruar nëpërmjet funksionit të saj të lartë.

Këto të dhëna nuk ishin të destinuara për publikim. Për këtë arsye, Gjykata e Posaçme ka vendosur ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Dyshimet e hetuesve bazohen në prova të siguruara nga përgjimet, të dhëna të gjetura në telefonin e Agasit pas arrestimit të tij, si dhe nga vëzhgimet e kryera gjatë fazës hetimore.

Dosja gjithashtu përmban komunikime të drejtpërdrejta mes Hysenit dhe Agasit. Ajo dyshohet se e ka informuar biznesmenin për lëvizjet dhe veprimet e strukturave policore gjatë kohës që Agasi ishte në kërkim.

Për më tepër, Hyseni akuzohet se i ka transmetuar Agasit informacione personale që lidheshin me të, si dhe të dhëna e dokumente për persona të tjerë, të cilat i kishte siguruar në sajë të pozicionit të saj. Bazuar në materialet e mbledhura gjatë hetimit, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme në këtë fazë për caktimin e masës së sigurisë.