Kylian Mbappé e ka shkruar emrin e tij në historinë e Kupës së Botës.
Me vetëm 27 vjeç, sulmuesi francez është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorit, duke e kaluar edhe Lionel Messin.
Mbappé i ka realizuar 22 gola në 22 ndeshje në Kupën e Botës.
Ai i shënoi 4 gola në Botërorin 2018, 8 në Katar në vitin 2022 dhe plot 10 gola në edicionin e vitit 2026.
Rrugëtimi i tij nisi në vitin 2018, kur ishte vetëm 19 vjeç dhe shënoi në finalen e fituar nga Franca ndaj Kroacisë.
Me atë gol, Mbappé u bë pjesë e grupit të rrallë të futbollistëve që kanë shënuar në një finale të Botërorit para se t’i mbushnin 20 vjeç, një rekord që e kishte arritur edhe legjenda braziliane Pelé.
Që nga atëherë, sulmuesi francez ka vazhduar të thyejë rekorde dhe tashmë qëndron mbi emra të mëdhenj të historisë së Kupës së Botës.
Në një intervistë për “The Athletic”, kapiteni i Francës i ka treguar emocionet e tij për këtë arritje, përcjell “Gazeta Express”.
“Gjithmonë kam dashur të thyej rekorde dhe të bëj që njerëzit ta kujtojnë emrin tim. Por, të jem i sinqertë, nuk e kisha menduar se do të bëhesha golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Kupën e Botës në moshën 27-vjeçare”, ka deklaruar Mbappé.
Sulmuesi i Real Madridit e ka theksuar edhe rëndësinë e veçantë që e ka Botërori për të.
“Kupa e Botës është kompeticioni i yjeve më të mëdhenj, i lojtarëve më të mëdhenj në historinë e futbollit. Unë ëndërroja thjesht të merrja pjesë, madje as të fitoja. Doja vetëm të isha aty. Prandaj është krejtësisht e çmendur të kem arritur deri këtu.”
Për kalimin e Messit në listën e golashënuesve, Mbappé u shpreh: “Kur e di se para meje ishte Lionel Messi… po, kjo është diçka historike.”
Me 22 gola, Mbappé tashmë e kryeson listën historike të golashënuesve të Botërorit, përpara Messit me 21 dhe Miroslav Kloses me 16 gola. /Gazeta Express
