Shërbimi Sekret Amerikan dhe Policia e Nju Jorkut po hetojnë tre persona, të cilët u panë duke dalë nga një grykë kanalizimi pranë hotelit ku pritet të qëndrojë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Incidenti u regjistrua në Midtown Manhattan, afër Park Avenue, ku individët, sipas zyrtarëve, u larguan me dy automjete të ndryshme. Deri më tani, nuk janë kryer arrestime.

Zyrtarët bënë të ditur se Policia e Nju Jorkut dhe Shërbimi Sekret Amerikan po shqyrtojnë pamjet filmike, të dhënat nga sistemet e leximit të targave dhe mjete të tjera teknologjike për të identifikuar personat në fjalë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konsiderohet ndër udhëheqësit botërorë, nga rreth 130 pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që gëzon mbrojtjen “me nivelin më të lartë të kërcënimit” nga Shërbimi Sekret, sipas zyrtarëve të zbatimit të ligjit.

Policia e Nju Jorkut deklaroi se “janë vërejtur një sërë incidentesh gjatë muajve të fundit, ku individë kanë hyrë në sistemin e kanalizimeve për të kërkuar sende me vlerë pas stuhive”. Megjithatë, forcat e rendit shtuan se, “ky incident plotëson të njëjtat kritere, por për shkak të kujdesit të shtuar, duke pasur parasysh Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe ndjeshmërinë e vendndodhjes, Policia po kryen kontrolle shtesë sigurie në bashkëpunim me partnerët tanë federalë”.