Lëvizja Vetëvendosje e ka prioritet zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.
Sipas tij, do të bëhen të gjitha përpjekjet që deri më 6 tetor të zgjidhet presidenti, ndërsa u ka bërë thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të ndryshojnë qëndrimin për këtë çështje, veçmas pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator nga Gjykata Speciale.
Rrustemi, në një intervistë për KosovaPress, ka kritikuar interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për zgjedhjen e Presidentit, duke thënë se ky interpretim ka shkurtuar periudhën në dispozicion për përpjekjet për gjetjen e një presidenti konsensual.
“Këto 12 ditë janë 12 ditë për presidentin. Vërtetë është shkurtuar mjaft shumë afati, por secila parti politike duhet ta ketë parasysh se kjo është gjëja më e rëndësishme për t’i dhënë vendit stabilitet dhe për t’i shmangur zgjedhjet që të pajtohemi për presidentin konsensual. Kosova ka nevojë për president, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Dhe ka nevojë për një president konsensual dhe kështu t’i krijojë mundësinë për stabilitet institucional dhe të përballet me të gjitha sfidat, me punët natyrisht që na presin edhe ato që u përmendën. Do të habitesha shumë që edhe pas 16 shtatorit, nëse partitë politike opozitare kanë qëndrimet e njëjta sikurse para 16 shtatorit. Unë mendoj që pas 16 shtatorit secila parti politike opozitare që ka kalkuluar për ta pamundësuar Qeverinë Kurti duke kufizuar në mandat nëpërmjet procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duhet të reflektojë dhe duhet të ulemi dhe të gjejmë një konsensus për sa i përket presidentit dhe pastaj të vazhdojmë punën, natyrisht secili në rolin dhe pozicionin e tij apo të saj”, deklaron ai.
PDK-ja pas zgjedhjeve të 7 qershorit ka thënë se do të qëndrojnë në opozitë dhe nuk do të përfshihen në negociatat për zgjedhjen e presidentit. Ndërkaq, Aleanca ka vendosur disa kërkesa, mes tyre edhe pranimin e gazit amerikan për të mbështetur zgjedhjen e presidentit.
Sipas Rrustemit, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, këto dy parti duhet të ndryshojnë qëndrimin e tyre sa i përket bashkëpunimit me LVV-në për zgjedhjen e Presidentit.
Ai thekson se tejkalimi i çështjes së presidentit do t’i mundësonte Kosovës të kishte institucione stabile dhe me mandat të plotë për t’u përballur me sfidën e Speciales dhe për t’i ofruar mbështetje të plotë shtetërore, me një strategji të bashkërenduar, 4 ish-krerëve të UÇK-së.
“Padyshim që ne kemi qenë dhe jemi të hapur për të diskutuar me secilën parti politike për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. Ajo çfarë nuk dihet është se pas 16 shtatorit a ka ndryshuar pozicioni i PDK-së dhe AAK-së për sa i përket bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit…. Ne jemi të interesuar dhe të gatshëm për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. I ftojmë edhe njëherë partitë politike të reflektojnë, sidomos pas 16 shtatorit. Përsëri po e them, do të ishte e habitshme nëse partitë politike opozitare, sidomos PDK-ja dhe AAK-ja, që kanë refuzuar bashkëpunimin para 16 shtatorit, të mbajnë të njëjtat qëndrime edhe pas 16 shtatorit. Sot nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të tejkalojmë çështjen e presidentit, të kemi institucione stabile me mandat të plotë, për t’u përballur edhe me sfidën e Gjykatës Speciale, për t’i ofruar mbështetje të plotë shtetërore, me një strategji të bashkërenduar, 4 ish-krerëve të UÇK-së”, potencon ai.
Deputeti i mazhorancës thotë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë në përputhje me Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpo, ai kritikon interpretimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
“Vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e kaluar, për sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, që ndërlidhej me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, e kishte thënë decidivisht, shprehimisht që procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës fillon nga momenti i konstituimit të Kuvendit. Nuk mund t’i bartet një përgjegjësi institucionit dhe deputetëve, për sa kohë institucioni nuk është i fuqiplotë dhe nuk ka kapacitet. Domethënë, ne nuk e kemi pasur të pamundur të nisim procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës pa u konstituuar Kuvendi. Vetëm nga momenti i konstituimit duhet të fillojë dhe të rrjedhë ky afat. Megjithatë, e kemi këtë interpretim të çuditshëm të Gjykatës Kushtetuese, që e ka shkurtuar dukshëm periudhën dhe përpjekjen, natyrisht, për ta gjetur një president konsensual”, deklaron Rrustemi.
Vlerësimeve të opozitës se Gjykata Kushtetuese ia prishi matematikën e LVV-së që të mbahen zgjedhjet më 27 dhjetor, ai mohoi një gjë të tillë, duke thënë se fokusi kryesor ka qenë dhe është zgjedhja e presidentit duke shmangur zgjedhjet e reja.
“Lëvizja Vetëvendosje ndoshta e vetmja matematikë e ka pasur përgjatë këtyre muajve dhe ajo ka të bëjë se si ta gjejmë një zgjidhje për presidentin e Republikës. Ne nuk i kemi dashur zgjedhjet, nuk i duam zgjedhjet, ne duam president të Republikës dhe kjo është dëshira dhe kërkesa e qytetarëve të Kosovës për t’i shmangur zgjedhjet. Pala tjetër, partitë politike opozitare, kanë dashur të shkaktojnë zgjedhje të vazhdueshme, edhe kësaj here. Dhe ata që duan zgjedhje nuk e kuptoj pse e kanë problem 27 dhjetorin. Ata duhet të përgjigjen pse e kanë problem 27 dhjetorin ose pse e kishin problem 27 dhjetorin, sepse ata donin zgjedhje. Ne nuk i kemi dashur dhe nuk duam zgjedhje”, thekson ai.
I pyetur se mund të bëhet një kompromis me PDK-në që të sigurohen votat për president duke miratuar ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale, ai deklaron se çështja e Gjykatës Speciale nuk duhet të trajtohet përmes kalkulimeve politike të ditës.
Rrustemi deklaron se përballja me Gjykatën Speciale duhet të bëhet në nivel shtetëror dhe përmes një strategjie të bashkërenduar.
“Unë jam kundër që çështjen e Gjykatës Speciale ta trajtojmë me kalkulime politike të politikës ditore. Domethënë, unë ta bëj këtë, e ju ma bëni këtë e të tjerë e të tjerë. Me Gjykatën Speciale duhet të përballemi si shtet, si shoqëri, si institucione, me një strategji shtetërore të bashkërenduar dhe, natyrisht, me parashikueshmëri të qartë të veprimeve dhe të dobishmërisë së këtyre veprimeve. Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi institucione stabile të fuqiplota. Domethënë, ne e kemi tepër të vështirë, po e them këtë edhe si shqetësim edhe si qytetar para së gjithash, që të përballemi me këtë betejë që na prek të gjithëve, që është përtej secilës palë, nëse nuk kemi institucione stabile. Prandaj është shumë e rëndësishme që ta zgjedhim Presidentin e Republikës së Kosovës, të vazhdojë puna e institucioneve me mandat të plotë dhe të fillojmë një punë të përbashkët përtej dallimeve politike për t’u përballur me këtë gjykatë të padrejtë e me proces të padrejtë, pa asnjë dyshim. Në anën tjetër, këto janë 12 ditë, tash ju secili mund ta merrni me mend se çfarë pune mund të bëhet në Kuvend të Kosovës në 12 ditë, me procedurat që ekzistojnë e kështu me radhë”, përfundon Rrustemi.
Gjykata Kushtetuese më 23 shtator ka vendosur se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk janë antikushtetuese, mirëpo ka konstatuar se Kuvendi është konstituar pas afatit prej 30 ditësh.
Si pasojë juridike e kësaj, Kushtetuesja ka thënë se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.
Tutje, Gjykata ka thënë se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, pra të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)./KP
