Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara të Amerikës një propozim për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, me një plan shtatëditor. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, gjatë një deklarate për mediat në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) të enjten.
Araghchi shpjegoi para gazetarëve se plani parashikon një afat shtatëditor, duke theksuar se, “nëse plotësohen kushte të caktuara, Ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë.”
Ministri iranian nuk pranoi të zbulonte detaje mbi kushtet specifike, por theksoi se ato nuk ishin “asgjë më shumë” sesa ato për të cilat të dy vendet kishin rënë dakord në qershor.
Propozimi i është përcjellë SHBA-së nëpërmjet ndërmjetësve, siç raportuan New York Times dhe CNN. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për CNN se po zhvillohen “bisedime pozitive dhe konstruktive nëpërmjet ndërmjetësve”.
Këto bisedime shënojnë kontaktet e para të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë prej muajsh, të zhvilluara gjithashtu në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën.
Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se kushtet e Teheranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit përfshijnë heqjen e menjëhershme të bllokadës detare amerikane nga bregdeti iranian, zhbllokimin e të gjitha pasurive të ngrira iraniane dhe ndërprerjen e konfliktit në të gjitha frontet.
