Peticioni për largimin e emërtimit ‘Urosevac’ nga Ferizaj, me mbi 14 mijë nënshkrime, dorëzohet të hënën në Kuvend

Peticioni i titulluar “Për një Ferizaj pa ‘Urosevac’”, i nënshkruar nga 14.140 qytetarë të Ferizajt, do të dorëzohet të hënën, më 28 shtator, në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe diskutime të mëtejshme.

Iniciatori i kësaj nisme, Bashkim Fazliu – Migjeni, ka bërë të ditur se me këtë dorëzim përmbyllet faza e parë e peticionit. Mbledhja e nënshkrimeve kishte nisur më 18 korrik të këtij viti, me një ceremoni zyrtare.

Aktivi i peticionit do ta dorëzojë dokumentin në orën 10:00, brenda ambienteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Data e 28 shtatorit është zgjedhur simbolikisht, për të përkuar me Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së në Ferizaj.

Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i peticionit është heqja përfundimtare e emërtimit ‘Urosevac’ për qytetin e Ferizajt dhe procedimi i kësaj kërkese në legjislativin e vendit.