Manchester City është shpallur fajtor për shumicën dërrmuese të 115 shkeljeve të pretenduara të rregullave financiare, të ngritura ndaj tyre nga Premierliga, dhe ndonëse po flitet për heqjen e titujve si pasojë, Interit nuk do t’i akordohet në mënyrë retroaktive titulli i Ligës së Kampionëve të vitit 2023, të cilin e humbi ndaj “Citizens”.

Të premten pasdite, u bë e ditur se Manchester City është shpallur fajtor për shkeljen e shumicës së 115 rregullave financiare të Premierligës, për të cilat ishte akuzuar nga një komision i pavarur.

Në shkurt të vitit 2023, gjigantët e Premierligës u akuzuan për 115 shkelje të rregullave të fair-play financiar të Premierligës, si dhe për dështim për të bashkëpunuar me hetimet e Premierligës mbi gjendjen e tyre financiare.

Konkretisht, City u akuzua për 54 raste të veçanta të mosofrimit të informacionit të saktë financiar nga sezoni 2009/10 deri në 2017/18, 14 raste të mosofrimit të të dhënave të sakta për pagesat e lojtarëve dhe trajnerëve gjatë së njëjtës periudhë, pesë raste të mosrespektimit të rregullave të UEFA-s, përfshirë FFP-në, nga sezoni 2013/14 deri në 2017/18, shtatë raste të shkeljes së rregullave të Premierligës për Profitabilitetin dhe Qëndrueshmërinë nga sezoni 2015/16 deri në 2017/18, si dhe 35 raste të mosbashkëpunimit me hetimet e Premierligës nga viti 2018 deri në 2023.

Trajneri aktual i kombëtares së Italisë, Roberto Mancini, ishte pjesë e Manchester Cityt gjatë periudhës kur klubi akuzohej për mosofrimin e informacionit të saktë lidhur me pagesat ndaj lojtarëve dhe trajnerëve.

Pasi vendimi për fajësi të konfirmohet zyrtarisht, pritet që City të apelojë vendimin.

Sanksionet e sakta ende nuk janë përcaktuar, gjë që ka shkaktuar spekulime mes tifozëve dhe ekspertëve.

Është folur për gjoba të paprecedenta, heqje të titujve dhe potencialisht edhe për rënie nga elita e futbollit anglez, megjithëse ende ka shumë hapa përpara se të shqiptohen ndonjë dënim i mundshëm.

Ajo që është e qartë, megjithatë, është se Interit nuk do t’i akordohet në mënyrë retroaktive titulli i Ligës së Kampionëve të vitit 2023, pas humbjes ndaj Manchester Cityt në finalen e zhvilluar në Stamboll atë vit.

Edhe nëse Cityt i hiqen titujt e fituar gjatë 15 viteve të fundit, komisioni i pavarur që e shpalli klubin fajtor për 115 akuzat nuk ka juridiksion mbi UEFA-n apo kompeticionet e saj.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ende konsiderohet e pamundur që Cityt t’i hiqen titujt e Premierligës nga viti 2009 deri në vitin 2023, e aq më pak ai që e fitoi në Ligën e Kampionëve./GazetaExpress/