Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të martën, më 17 nëntor, në orën 15:00, për të diskutuar lidhur me caktimin e rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Ndër pikat kryesore të propozuara për shqyrtim në seancë është Projektligji për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, i cili pritet të shqyrtohet në lexim të parë.
Në rend dite janë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe atij për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe zgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Në mesin e pikave të propozuara është edhe rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
