**Përleshje e rëndë në Veternik: 8 persona në mbajtje, konfiskohen armë dhe prova të tjera**
Një përleshje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Veternik të Prishtinës, duke lënë dy persona të lënduar. Si pasojë e incidentit, tetë persona janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 04:39, prapa një lokali. Mosmarrëveshja mes disa personave ka eskaluar në dhunë fizike.
Gjatë shkëmbimit fizik, njëri nga të dyshuarit pretendohet se ka përdorur armë zjarri, duke plagosur një person, ndërsa një tjetër dyshohet se ka përdorur thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore një personi të dytë.
Të dy personave të lënduar u është ofruar ndihma mjekësore dhe aktualisht janë në trajtim.
Gjatë veprimeve policore në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrolleve ndaj personave të dyshuar, janë gjetur dhe konfiskuar disa prova materiale. Këtu përfshihen: një pistoletë, tri gëzhoja, dy fishekë, dy predha, një thikë, një çelës metalik dhe një veturë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, tetë persona të dyshuar janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitë kompetente policore.
