**Tifogrupi “Intelektualët” refuzon marshin mbështetës për UÇK-në: “Kauzat tona gjejnë kuptim vetëm në tribina”**

Sot pritet të mbahet protesta e tifogrupeve shqiptare në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët i konsiderojnë të dënuar padrejtësisht. Për këtë qëllim, grupet e mëdha të tifozëve si “Plisat”, “Torcida”, “Forca”, “Kuqezinjtë e Jakovës” dhe shumë të tjera, kanë lënë mënjanë rivalitetet e tyre për t’u bashkuar.

Megjithatë, jo të njëjtin mendim ndau tifogrupi nga Gjilani, “Intelektualët”, të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë marsh proteste. Në një njoftim zyrtar, ata sqaruan pozicionin e tyre:

“INTELEKTUALËT nuk marrin pjesë!

Jo sepse pajtohemi me dënimet, dhe as sepse na ka ndryshuar qëndrimi ndaj UÇK-së. Përkundrazi, qëndrimi ynë dihet shumë mirë. Për ne, lufta e UÇK-së, sakrifica dhe historia e këtij vendi nuk kanë nevojë të dëshmohen sa herë që ka kamera e vëmendje publike! Por, një gjë duhet të kuptohet: Ne jemi një grup tifozësh ‘Ultras’. Dhe për ne, kauzat, revolta, pakënaqësia dhe çdo mesazh që duam ta përçojmë, e gjejnë kuptimin vetëm në një vend — TRIBINA. Nuk mund të harrojmë këtë parim sot dhe të dalim të gjithë së bashku në një marsh, vetëm sepse aty ka më shumë kamera dhe më shumë vëmendje… Madje lind pyetja: ku ishin këto mesazhe menjëherë pas vendimit? Ku ishte prania në tribina? Nëse disa prej grupeve që sot po thirren për bashkim kombëtar nuk kanë pasur paraqitje në ndeshjet e fundit pas vendimit, dhe tani organizohet një dalje e përbashkët pikërisht në një aktivitet me vëmendje të madhe publike, atëherë ne e kemi të drejtën ta shohim ndryshe këtë mënyrë të veprimit. Ne nuk kemi pritur të organizohet një marsh për të treguar qëndrimin tonë. Mesazhet tona i kemi çuar aty ku jemi gjithmonë: në stadium, në tribina, përmes parullave dhe pranisë sonë. Sepse nëse një grupim e ka zërin vetëm atëherë kur ka kamera, atëherë çfarë e dallon atë prej një organizimi të zakonshëm publik?”, shkruhej në njoftimin e “Intelektualëve”.

Protesta e tifogrupeve shqiptare do të mbahet në orën 15:00.