Autoritetet greke po hetojnë si një përplasje të mundshme mes grupeve kriminale sulmin e armatosur në një kafene në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, ku mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare, ndërsa shënjestra dyshohet se ishte pronari i lokalit, Denis Luli.
Sipas informacioneve katër persona të armatosur mbërritën pranë lokalit me një automjet të vjedhur dhe hapën zjarr ndaj biznesit.
Autorët dyshohet se përdorën një armë kallashnikov dhe qëlluan rreth 25 herë në drejtim të lokalit. Pas sulmit, ata u larguan me automjetin, i cili më vonë u gjet i djegur në Aspropyrgos.
Brenda makinës së djegur u gjet edhe arma e zjarrit që dyshohet se është përdorur gjatë sulmit.
Nga të shtënat u plagos në këmbë një vajzë 10-vjeçare, e cila ndodhej në lokal. Fëmija është vajza e partneres së pronarit të biznesit. Pas ngjarjes, nëna e saj e transportoi vetë në spital.
Deri tani, pronari i lokalit, shqiptari Denis Lului nuk u ka dhënë hetuesve informacione lidhur me sulmin. Megjithatë, burime të cituara nga mediat greke pretendojnë se ai mund të ketë pasur dyshime se ishte nen shenjester, pasi dyshohet se i kishte dhënë udhëzime kamarierit që të pretendonte se nuk e kishte parë nëse persona të tjerë do ta kerkonin ate.
E shkuara e errët e Denis Lulit
Në vitin 2016 Luli ishte përfshirë në një çështje që lidhej me një plantacion të madh marijuane në Arta. Gjatë operacionit të policisë, ai dyshohet se ka qëlluar ndaj efektivëve dhe ka arritur të largohet, përpara se të arrestohej rreth dy vite më vonë.
Në vitin 2021, ai u lirua nga burgu i Malandrinon me masa kufizuese, ndërsa ndër kushtet e vendosura ishin ndalimi i largimit nga Greqia dhe paraqitja e rregullt në komisariatin e Kypselit.
Sipas të njëjtave raportime, gjatë vitit 2025 emri i tij është përfshirë sërish në një rast të lidhur me një sasi të vogël droge.
