Meliza Haradinaj e quan ‘varfëri intelektuale’ rezolutën e propozuar në Kuvend
Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj rezolutës së propozuar në Kuvend, e cila pritet të diskutohet dhe të hidhet në votim gjatë ditës së sotme. Haradinaj e ka cilësuar këtë proces si “varfëri intelektuale”.
Në reagimin e saj, ish-ministrja thekson: “VARFËRI INTELEKTUALE: 12 ditë pas dënimeve monstruoze në Hagë, Kuvendi mblidhet sot dhe përgjigjja shtetërore është… një rezolutë.”
Ajo e përshkruan këtë si “një letër politike pa fuqi detyruese, pa mekanizëm zbatimi dhe pa ndonjë efekt real”, përballë asaj që e quan “një goditjeje që prek historinë, luftën çlirimtare dhe vetë shtetin e Kosovës!”
Haradinaj përfundon reagimin e saj duke theksuar se “Kosova nuk mund t’i përgjigjet një ‘disfate’ historike me një copë letre”. Ky reagim është raportuar fillimisht nga Indeksonline.
