Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në një fjalim të mbajtur para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në Strasburg, ka theksuar pjekurinë demokratike të Kosovës, ka akuzuar Serbinë dhe ka shprehur besimin se akuzat ndaj liderëve të UÇK-së do të rrëzohen në apel.
Gola fillimisht falënderoi Presidentin Bulai dhe delegacionin e PACE-s, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe punën e tyre. Ai theksoi se raporti i PACE-s dëshmon për një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe vetëkorrigjues në Kosovë, duke e konsideruar këtë si tregues të një pjekurie të avancuar demokratike. Gola citoi: “Raporti dëshmon se Kosova ka një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe vetëkorrigjues. Kjo do të thotë se Kosova ka arritur një nivel të tillë të pjekurisë demokratike dhe kulturës zgjedhore, saqë përbën shembull për demokracitë e tjera në rajon dhe më gjerë.”
Deputeti Gola foli edhe për përfshirjen e komuniteteve në zgjedhje, duke theksuar përpjekjet e institucioneve kosovare për një proces gjithëpërfshirës. Ai veçoi pjesëmarrjen e komunitetit serb, e cila, sipas tij, u realizua pavarësisht presioneve dhe frikësimit nga Lista Serbe dhe Beogradi.
Një pjesë të fjalimit, Gola ia kushtoi Serbisë, të cilën e akuzoi për vazhdimësi ideologjike me të kaluarën dhe për përdorim të retorikës nxitëse të tensioneve. Ai tha: “Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës.”
Gola komentoi edhe dënimet e fundit të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat ishin përmendur në raportin e PACE-s. Ai theksoi se, sipas tij, pretendimet kryesore të raportit të Dick Marty-t, si akuzat për krime kundër njerëzimit, trafikim organesh dhe ato lidhur me “Shtëpinë e Verdhë”, nuk janë vërtetuar gjatë proceseve gjyqësore. Lidhur me akuzat e mbetura, Gola shprehu besimin se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse zbatohen rigorozisht standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Ai u shpreh: “Ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë.”
Në mbyllje të fjalimit, Gola e përshkroi UÇK-në si një forcë që lindi si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes, me qëllim çlirimin e Kosovës nga regjimi i Slobodan Millosheviqit. Ai i bëri thirrje institucioneve evropiane të qëndrojnë vigjilente ndaj zhvillimeve në rajon dhe të mos lejojnë “shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”.
