“Spotify Camp Nou” i ri pritet të bëhet një nga burimet më të mëdha financiare të Barcelonës, teksa klubi synon të rrisë të ardhurat e tij.

Qëndrueshmëria dhe konkurrueshmëria e klubit varen pjesërisht nga shfrytëzimi maksimal i stadiumit të ri, siç ka theksuar vazhdimisht bordi i Barcelonës, dhe gjithçka që është bërë e ditur deri më tani sugjeron se projekti po ecën në drejtimin e duhur.

Biznesi i sektorit VIP ka filluar të prodhojë shifra që ndihmojnë për të kuptuar pse Barcelona ka investuar kaq shumë në këtë model.

Sipas klubit, tashmë janë shitur afro 5,000 ulëse VIP, duke përfaqësuar më shumë se 432 milionë dollarë të ardhura të kontraktuara përmes marrëveshjeve me kohëzgjatje të ndryshme.

Barcelona tani ka njoftuar nisjen e një modeli të ri individual të licencimit, i cili do t’u mundësojë klientëve të blejnë të drejta ekskluzive për një ulëse VIP për 15 ose 30 vjet, në këmbim të një pagese paraprake.

Klubi do të vërë në dispozicion rreth 2,000 ulëse VIP që kanë mbetur ende të pashitura përmes këtij formati. Barcelona po punon me “Legends Global” për këto transaksione.

Me këtë model të ri të ulëseve, Barcelona po siguron të ardhura paraprakisht, ndërsa po i lidh klientët me “Spotify Camp Nou” të ri për vitet në vazhdim.

Parashikimi fillestar është që nga këto 2,000 ulëse të gjenerohen rreth 795 milionë (700 milionë euro) dollarë të ardhura të kontraktuara gjatë 15 dhe 30 viteve të ardhshme.

“Spotify Camp Nou” do të ketë rreth 9,400 ulëse VIP dhe për mikpritje, më shumë se trefishi i numrit të disponueshëm në stadiumin e vjetër.

Në maj të vitit 2025, kur Barcelona kishte shitur tashmë më shumë se 3,700 ulëse VIP, të ardhurat e parashikuara afatmesme dhe afatgjata nga ky biznes kishin kaluar tashmë 381 milionë dollarë. Tani, me afro 5,000 ulëse të shitura, kjo shifër është rritur në 432 milionë dollarë.

Barcelona dëshiron që “Spotify Camp Nou” të gjenerojë të ardhura si gjatë ditëve kur zhvillohen ndeshjet, ashtu edhe kur nuk ka ndeshje, duke rritur njëkohësisht kthimin financiar të gjeneruar nga secila prej këtyre ulëseve premium./GazetaExpress/