**Putin nënshkruan dekretin për shtimin e 15.500 trupave në ushtri: Urëdhri i katërt këtë vit**
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar një dekret për zgjerimin e ushtrisë me 15.500 trupa, duke shënuar kështu urdhrin e katërt të këtij lloji brenda këtij viti.
“Numri i autorizuar i personelit të forcave të armatosura ruse do të caktohet në 2.441.630, përfshirë 1.550.500 personel ushtarak,” thuhet në dekret, sipas mediave të huaja.
Putin kishte nënshkruar më parë dekrete për rritjen e ushtrisë në muajt mars, qershor dhe korrik. Kjo e çon rritjen totale të personelit ushtarak që nga marsi në 47.860 ushtarë.
Presidenti rus nuk e bëri publike arsyen e vendimit, por ai vjen në një kohë kur humbjet po shtohen si në anën ruse, ashtu edhe në atë ukrainase, në luftën në shkallë të gjerë në Ukrainë. Këtë vit, ritmi i avancimit të trupave ruse në fushën e betejës është ngadalësuar, pasi përdorimi i gjerë i dronëve e ka bërë pothuajse të pamundur lëvizjen e shpejtë të formacioneve të mëdha. Për më tepër, javët e fundit kanë sjellë raporte për depërtime ukrainase në disa sektorë të frontit.
Hera e fundit që Putin shpalli një “mobilizim të pjesshëm” të rezervistëve ishte në shtator të vitit 2022, pas një sërë dështimesh në front. Ai dekret mbetet ende në fuqi.
**Shenja të një mobilizimi të ri?**
Në gusht, shërbimet e inteligjencës ukrainase raportuan se Moska planifikon të mobilizojë deri në 300.000 persona këtë vit për t’i dërguar në front, dhe një numër të ngjashëm vitin e ardhshëm. Një sërë analistësh, duke iu referuar të dhënave mbi masat përgatitore të autoriteteve ruse në terren, parashikuan një valë të re mobilizimi që në vjeshtë – menjëherë pas zgjedhjeve për Dumën Shtetërore – gjë që shkaktoi “panik” mes rusëve dhe një rritje të interesit për emigrim.
Putin i hodhi poshtë këto zëra si “absurditet të plotë”. Kremlini këmbënguli se nevojat e forcave të armatosura ruse po plotësoheshin nga ushtarë me kontratë dhe vullnetarë, ndërsa analistët e pavarur thonë se rekrutimi i tyre vazhdon të bjerë, pavarësisht premtimeve për shpërblime të mëdha financiare.
“Në thelb, Rusia tashmë ka nisur një mobilizim shtesë; ajo po zgjeron përmasat e rekrutimit në radhët e saj, duke përdorur metoda të ndryshme për këtë qëllim. Ajo planifikon gjithashtu të rrisë numrin e shtetasve të huaj dhe është e rëndësishme që qeveritë e vendeve nga të cilat Rusia rekruton njerëz në radhët e saj, të kundërveprojnë ndaj kësaj,” tha të martën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke komentuar dekretin e Putinit në një mesazh video të publikuar në platformën X.
Zelenskyy shtoi se disponon të dhëna të reja që tregojnë se Koreja e Veriut po përgatitet të dërgojë 10.000 ushtarë të saj në Rusi, përveç 8.000 të tjerëve që janë dislokuar tashmë atje.
