Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të mbërrijë në Kosovë të enjten, më 1 tetor, si pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Në Prishtinë, ajo pritet të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti, siç ka bërë të ditur zyra e saj.
Ky tur në Ballkanin Perëndimor do të nisë të mërkurën në Tiranë. Pas qëndrimit në Prishtinë, von der Leyen do të vazhdojë udhëtimin për në Podgoricë po të enjten, dhe do ta përfundojë vizitën të premten në Shkup. Sipas Komisionit Evropian, në fokus të bisedimeve do të jenë rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, integrimi gradual dhe Plani i Rritjes për rajonin.
Vizita e zonjës von der Leyen në Ballkan vjen në kohën kur Komisioni Evropian po përgatit udhërrëfyes për vendet kandidate që kanë shënuar progres të konsiderueshëm. Këtë nismë ajo e paralajmëroi në fjalimin e saj të 16 shtatorit, pa përmendur emra specifikë vendesh. Raportimet mediatike sugjerojnë se këta udhërrëfyes pritet t’u dedikohen Shqipërisë dhe Malit të Zi në Ballkanin Perëndimor, si dhe Moldavisë e Ukrainës në Evropën Lindore. Qëllimi i tyre është të përcaktojnë reformat e nevojshme, kushtet dhe afatet orientuese për hapat e ardhshëm në procesin e negociatave. Megjithatë, propozimet ende nuk janë prezantuar zyrtarisht.
Në Podgoricë, von der Leyen do të ketë takime me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Mali i Zi konsiderohet vendi me progresin më të madh në negociatat e anëtarësimit, duke pasur të hapur të 33 kapitujt dhe të mbyllur përkohësisht 18 prej tyre, sipas njoftimit më të fundit të Komisionit. Bashkimi Evropian ka nisur gjithashtu përgatitjen e traktatit të anëtarësimit për këtë shtet dhe ka prezantuar një paketë financiare për mbështetjen e anëtarësimit të tij të mundshëm, bëjnë të ditur burime nga Komisioni Evropian.
Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk janë përfshirë në këtë tur. Komisioni Evropian ka shpjeguar se vizita e zonjës von der Leyen në këto vende do të realizohet më vonë, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.
